Artisti që vuajti 7 vjet burg vetëm pse pa në ëndërr Enver Hoxhën…

2 javë më parë

Artisti që vuajti 7 vjet burg vetëm pse pa në ëndërr Enver Hoxhën…

Dashnor Kaloçi – Në fundin e viteve ’70-të, teksa shkruante veprën e tij të famshme “Nëpunësi i Pallatit të Ëndrrave”, shkrimtarit të famshëm Ismail Kadare as mund t’i shkonte kurrë ndërmend se ajo gjë kishte ndodhur vërtetë vetëm disa vjet më parë në një qytezë të vogël jo shumë larg Tiranës, ku Luan Maluka (me origjinë nga Kolonja), do të arrestohej në Laç të Kurbinit dhe do të dënohej me shtatë vjet burg politik, pikërisht vetëm pse kishte parë në ëndërr Enver Hoxhën?!

Maluka-t, familje e pasur dhe bejlerë të Kolonjës, mbështetës së Monarkisë së Zogut, veç të tjerave njiheshin edhe si themelues të qytetit të Ersekës, por pas ardhjes së komunistëve në pushtet në nëntorin e vitit 1944, për ta do të fillonin ditë të zeza.

Arrestimi dhe dënimi me burg, i Abdyl Malukës

Një prej familjeve të këtij fisi të njohur që do t’i nënshtrohej persekucionit të egër komunist, do të ishte dhe familja e Avdyl Malukës, i cili menjëherë pas mbarimit të Luftës u arrestua dhe vuajti disa vjet burg në Kënetën e Maliqit, pasi më parë iu sekuestrua e gjithë pasuria.

Shkak për dënimin e tij u bë jo vetëm prejardhja si bejlerë, por edhe për faktin se Avdyli me bashkëshorten e tij, Sofien, kishin qenë të ftuar dhe kishin marrë pjesë në dasmën e Mbretit Zog në vitin 1938-të, në përbërje të parisë së Kolonjës. Madje kjo gjë e rëndoi më shumë pozitën familjare të Avdyl Malukës, të cilin nuk mund ta shpëtonte dot nga burgu, as vëllaj i tij komunist, që kishte luftuar me armë në dorë si partizan në çetat e Kolonjës.

Pas daljes nga burgu Xha Avdyli me bashkëshorten tij, Sofinë dhe dy djemtë, Luanin e Robertin, e vajzën, për t’i shpëtuar luftës së egër të klasave u detyruan që të shpërnguleshin nga Kolonja për t’u vendosur në disa qyteza të vogla punëtorësh. Kjo gjë u bë e mundur për shkak se Luani punonte si hekurkthyes, profesion që mundi ta merrte gjatë kohës që ai kryente shërbimin e detyrueshëm ushtarak në repartet e punës.

Kështu nga mesi i viteve ’60-të, Abdyl Maluka me familjen e tij do të vendoseshin në qytezën e Laçit që sapo kishte filluar të ndërtohej, pasi Luani ishte sistemuar me punë në Ndërmarrjen e Ndërtimeve Industriale, e cila i kishte kantieret e saj në disa rrethe të vendit, si në Elbasan, Pogradec, Fushë-Krujë, Laç, etj./Gazeta Shqiptare/

ECE08C5F-AF11-4815-ADF8-25B79C9F02B8ECE08C5F-AF11-4815-ADF8-25B79C9F02B87CDDCA06-29B5-4194-9283-23B391FDD5D8C65A28CD-8827-48E9-B781-28D87904CBC2C6E4A950-2B7E-4146-A8C2-B2F82078FE4964AC025C-0715-494C-A05A-01F86A2F253D
<