2 javë më parë

Arsyeja që e përmbysi Qeverinë Haradinaj e bën të pamundur koalicionin paszgjedhor LDK-VV

Arsyeja që e përmbysi Qeverinë Haradinaj e bën të pamundur koalicionin paszgjedhor LDK-VV

Shkruan: Agron Halitaj

Shumëkush ishte i bindur se një koalicion parazgjedhor mes Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) dhe Lëvizjes Vetëvendosje (VV), do ta rikthente në qeverisje të parën, e të dytën do ta çonte për herë të parë në pushtetin qendror. Ky perceptim mund të ketë qenë i qëndrueshëm, marrë parasysh klimën që është krijuar në vend përgjatë qeverisjes së shkurtër e skajshmërish të keqe të koalicionit PANA (PDK-AAK-NISMA-AKR) dhe një duzine partish të vogla.

Nuk është se qytetarët i shihnin LDK-në e VV-në si parti “engjëllore”, që vendin do ta nxirrnin shpejtë në dritë, por në mungesë të një partie të vërtet reformatore dhe qëllimmirë, siç e kërkon koha, këto të dyja kanë mbetur forcat më reale të mundshme për të triumfuar kundrejt partive që ishin në pushtet e të cilat në mënyrën më të vrazhdë e kanë keqpërdorur paranë publike, i kanë stërmbushur institucionet e shtetit me militantë partiakë dhe e kanë vrarë perspektivën e shumicës qytetare.

Përderisa ndërrimi i partive në pushtet është i shëndetshëm për shoqëritë që mëtojnë të jenë demokratike, të pakta ishin dhe mbetën gjasat që një rokadë e tillë të ndodhë edhe tek ne pas zgjedhjeve të tetorit 2019.

Këtë “paragjykim” e forcon në radhë të parë mosarritja e koalicionit parazgjedhor LDK-VV. Nuk është se këto dy parti nuk kanë mundur të merren vesh për të krijuar një aleancë parazgjedhore, por arsyeja e shkuarjes në zgjedhje të parakohshme e përjashtonte mundësinë e një marrëveshjeje mes tyre. Pse?

Nëse zgjedhjet e parakohshme të vitit 2017 janë organizuar për ta nxjerrë një qeveri dhe një përbërje të shumicës parlamentare që do ta kalonte Marrëveshjen për Demarkacionin mes Kosovës dhe Malit të Zi, zgjedhjet e sivjetme mbahen për ta krijuar një qeveri dhe një përbërje parlamentare që është e gatshme ta votojë Marrëveshjen përfundimtare Kosovë-Serbi.

Nuk ka qenë e rastit që përgjatë dy vjetëve të fundit, të tri institucionet qendrore të shtetit – Qeveria, Kuvendi e Presidenca – kanë qenë në duar të tre politikaneve të dalë nga krahu i luftës. Treshja Thaçi-Haradinaj-Veseli është dashur të jetë garantuese e stabilitetit të brendshëm, pasi Malit të Zi do t’i jepeshin 8 200 hektarët e territorit të pretenduar të Kosovës. E njëjta garanci, veçse në rrafsh edhe me të gjerë, do të kërkohet edhe tani para marrëveshjes me Serbinë.

Me Vetëvendosjen në qeverinë e re është pak ose fare e pritshme të arrihet marrëveshja finale me fqinjin veror, kur dihet se kjo parti vazhdon t’i konsiderojë si të dëmshme të gjitha marrëveshjet që janë arritur më herët në Bruksel në mes të dy shteteve. Ndryshe qëndron puna me LDK-në e cila ka qenë për pak kohë aktere në proceset dialoguese me Serbinë.

Ndaj, pavarësisht se kush do të vijë në krye të Qeverisë së re, puna e parë që pret kryeministrin/en është rinisja e dialogut me Serbinë. Ky proces dialogimi ishte bllokuar veç për shkak të këmbëngulësisë së kryeministrit të deritashëm të Kosovës për të mos e hequr taksën ndaj produkteve serbe. Në rrethanat e tilla, e vetmja mënyrë për “zhbllokuar” dialogun ishte largimi, përkatësisht rrëzimi i Qeverisë Haradinaj. Haradinaj ka qenë i vetëdijshëm se me qëndrime të ngrira nuk do të mund të qëndronte gjatë në krye të Qeverisë, prandaj e shfrytëzoi momentumin e krijuar nga ftesa prej Gjykatës Speciale për t’u tërhequr në mënyrë paksa të lavdishme.

Pritjet janë që me këto zgjedhje do të ngushtohet diferenca mes forcave kryesore politike në vend, gjë që më pas mund ta komplikojë procesin e krijimit të qeverisë së re. Në rast se institucionet e reja nuk konsolidohen shpejt shkaku i “pazareve të mëdha politike”, atëherë ka gjasa që të imponohet një koalicion i gjerë i cili do ta nxirrte një kryeministër konsensual. Në aso rrethanash, i vetmi subjekt që do të mund të mbetej jashtë koalicionit qeverisës do të ishte Vetëvendosja, duke e “shpëtuar” veten nga kjo barrë e duke i lënë partitë tjera që mbi to të rëndojë përgjegjësia historike për atë që do ta nënshkruajnë me Serbinë.

Ndaj, këtu duhet kërkuar edhe shkakun se pse nuk u arrit marrëveshja për koalicionin LDK-VV – koalicion ky që sipas disa vlerësimeve ka mundur ta bëjë qeverinë e re.

AktivPress