Arrestohen edhe 22 persona në rastin Karaçeva

4 javë më parë

Arrestohen edhe 22 persona në rastin Karaçeva

Prokuroria Themelore në Gjilan, ka njoftuar se të enjten janë arrestuar 22 persona gjatë një aksioni të ndërmarrë në bashkëpunim dhe koordinim me Policinë e Kosovës, Inspektoratin Policor të Kosovës dhe agjencitë e tjera të zbatimit të ligjit, në rajonin e Gjilanit, Ferizajt, Prizrenit, Podujevës, Pejës, Suharekës dhe Vitisë.

Ky aksion ka qenë vazhdimësi e operacionit të zhvilluar më 19 shtator, në zonën e Karaçevës dhe rajone tjera, i cili kishte rezultuar me 37 persona të ndaluar.

“Operacioni i sotshëm është zhvilluar për shkak të dyshimeve të bazuara se në lokacionet e lartcekura janë zhvilluar veprimtari kriminale, përfshirë kontrabandimin me mallra, vënien në qarkullim të artikujve të dëmshëm ushqimor, blerjen, pranimin ose fshehjen e sendeve të përfituara me kryerjen e veprës penale dhe organizimin e skemave piramidale dhe bixhozit të paligjshëm”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë së Gjilanit.

Gjatë aksionit policor të 19 shtatorit, janë rrënuar edhe 12 objekte ku zhvillohej veprimtaria e bixhozit dhe lojërave të fatit.

Në mars të vitit 2019, Kuvendi i Kosovës kishte miratuar ligjin që ndalon funksionimin e bizneseve të lojërave të fatit për 10 vjetët e ardhshëm.

Vendimi për mbylljen e lojërave të fatit, kishte ardhur, pasi në dy kazino në qytete të ndryshme të Kosovës, ishin vrarë dy persona.

Edhe pas vendimit të qeverisë në atë kohë, Policia e Kosovës ka njoftuar se në aksione të ndryshme, ka hasur dhe arrestuar persona të cilët ishin dyshuar se me qëllim të përfitimit të pasurisë në mënyrë të kundërligjshme, kanë organizuar lojëra të fatit.