Armiqt’ e Shqipërisë

2 javë më parë

Armiqt’ e Shqipërisë

Nga: Faik Konica (publikuar për herë të parë në revistën “Albania”, më 1897)

Të gjith’ ata që kanë njohur vendin t’onë, shkrojnë që dheu i Shqipërisë munt të japë bukë një-zet milionë shpirtëve. E dini që jemi tre milionë dhe që dy milionë prej nesh ngordhin urije… Shkrojnë që Shqipëtarët janë mjaft të mënçurë me punuem, nukë vetëm për zbukurimin e tyre, por edhe për mirësin’, edhe për dritën e gjithë njerëzisë. E dini mirë që shqipëtarë të mësuarë janë më të rrallë se fjalët e vërteta në gojë prifti. Cilët prejtin bukën e barkut, cilët prejtin bukën e mëndes?

Kemi armiq. Për atë të gjithë bashkohen në një zë. Vetëm për këtë ndahen që të gjithë, nuk tregojnë një armik. Ca zgjatin gjishtin drejt dhelpëris e grekut, ca dëftojnë gjarpërimin e shqevet, ca të tjerë emërojnë me zë të unjtë trashërin’ e Halldupëve. Kur dëgjojmë të tilla neve na vjen një i pambajtur gaz. Armiqt’ e Shqipërisë janë Shqipëtarë, jo të tjerë.

Shqipëtarët kanë shkruar me gjakun e tyre më tepër se një faqe në histori të Evropës. Nga më të voglat të trazuarat, gjer në luftat më të gjaktat, shqipëtari ka hequr hark, vërtitur kordhë e zbrazur pushkë. A ka gjë më të turpshme, më të unjtë, se historia e këtij kombi që – për pakë të qelbur ergjënt – shet mish njeriu në çdo luftë, edhe kujt s’i erdhi dëshërim, nga aqë qind vjet që e shkelin edhe e kurvërojnë të huajtë, s’i erdhi dëshërim të japë dy pika gjak për lirin’ e vetëhesë?

Të dojin shqipëtarët lirin’ e Shqipërisë, lehtazi e bëjin; po rinë të patundurë, edhe andej dëftojnë që s’e duan Shqipërinë, dëftojnë që janë armiqt’ e saj. Dëgjoni mirë, në mos e dini! S’janë armiq vetëm duke ndenjur duartë në gji, po ditë për ditë edhe ndryshe punojnë kundrë mëmëdheut. Shkaku i këtyre të ligave është se shqipëtarët s’kanë shpirtin mjaft të lartë për të dashur lirinë; Shqipëtarët psherëtitën natë e ditë pas orës tek do të mundin të jenë fare-fare robër nënë Turkun a nënë Grekun…

Tjetër shkak është që ca prej shqipëtarëvet janë të sunetisurë, ca të pagëzuarë. Këto të dy punërat miaft për të qeshur janë, edhe – në qoftë që ndonjë këndonjës nuk i njeh – ja, shkurt, qysh bëhen. Kur aritet një djalë shtat a tet’ vjeçar, i at’ i tij fton miqt, han’ e pinë dhe këndojnë, pastaj, duke rënë vjolitë, një maskara i qaset të gjorës foshnjes – e cila ulërin dhe përpiqet – edhe më një gërshërë në dorë i pret një thelë mish te nji vënt që është turp ta emëronj. Janë shqipëtarë që s’e bëjnë këtë punën; por ata, kur lindet një djalë, ja shpien një prifti mjekërqelburë, i cili e mer dhe e kllet lëkurca brënda në një magje plot me ujë.

Mos e mirni shtrëmbër mendimin t’im, u lutem; unë s’kuvëndonj kundrë këtyre punërave: të mira a të liga, çdo njeri ësht’ i lir t’i besojë dhe t’i mbajë. Vetëm një pyetje ju kam për të kërkuar, duke falur nderjes: A kuptoni si munt t’i ndrohet reza nji njeriu sepse – kur qe djalë – i këputnë një cop mish a e vunë brënda në një magje? Mua s’ma pret mëndja