Arif Vladi: Jam dënuar nga Serbia, por në Beograd do të këndoja marshin e UÇK-së

1 muaj më parë

Arif Vladi: Jam dënuar nga Serbia, por në Beograd do të këndoja marshin e UÇK-së

Këngëtari i njohur shqiptarë Arif Vladi ka thënë se po të merrte pjesë në ndonjë koncert në Serbi, do të këndonte këngë shqipe, e këngë për marshin e UÇK’së, raporton Gazeta Express.

Ndonëse thotë se nga Serbia është dënuar që për 10 vite që të mos shkel në ish-Jugosllavi, në një lidhje direkte në emisionin Frontal në T7, ai deklaron se do të këndonte këngë shqipe në këtë shtet.

“Pse s’na ftojnë neve shqiptarëve dhe kosovarëve që të këndojmë në Beograd. Ne do të shkonim në kuadrin e ftesës zyrtare që do të na bënin dhe do të këndonim këngën shqipe e kosovare në Beograd. Ku nuk fyhen as serbët, por vetëm këndojmë këngët tona tradicionale. Unë nga Serbia jam i dënuar për 10 vite që mos të shkeli në ish-Jugosllavi me motivacionin këngëtari që nxit terrorizmin në Kosovë”, ka thënë ai.

Vladi ka komentuar ftesën që i është bërë këngëtarit serb, Goran Bregoviq që të jetë një nga të ftuarit special të këtij viti në Festën e Birrës në Korçë.

Ai ka thënë se Bregoviq ka nënvlerësuar shqiptarët, derisa ka lëvduar artistët tjerë që kanë anuluar pjesëmarrjen e tyre në këtë koncert.

“Dihet që arti, muzika, kënga na bashkojnë, janë ura lidhëse mes njerëzve dhe kombeve, por jo në të gjitha rastet. Në këtë rast kemi të bëjmë me një kafshillëk, që Bregoviq kërkon të performoj në Korçë, ku qëndrimet e tija dihen për kombin tonë dhe për Kosovën. Ai me këngët e tij ka treguar që kërkon ta nënvlerësoj shqiptarin, t’i quaj njerëz që janë të pakulturuar dhe të paqytetëruar, që merr këngën e kallashit dhe me qëndrimin që ka bërë në koncertet që ka mbajtur kundër intervenimit të NATO’s për lirimin e Kosovës”, ka deklaruar ai.

Vladi është shprehur se Bregoviq edhe mëherët kishte tentuar të këndoj në Shqipëri, por që në fund kishte anuluar koncertin.

“Kjo nuk është hera e parë e Bregoviqit që tenton. Në 2008’tën Bregoviq paralajmëroi një koncert në plazhin e Durrësit, në muajin gusht kur gjithë Kosova edhe nga dashuria për Shqipërinë por edhe për të bërë pushime, ishin dyndur në Durrës. Ky paralajmëroi një koncert pikërisht atje në Durrës. Ne e morëm vesh këtë dhe brenda 24 orëve i jemi kundërpërgjigjur me një koncertë me këngët e lirisë së Kosovës që organizuam 30 metra larg skenës ku performonte Bregoviqi. Ne kemi ngritur skenën e madhe në plazh dhe kemi filluar koncertin gjysmë ore para se të fillonte Bregoviqi. Ai u tregua i zgjuar dhe e anuloi koncertin”, ka shtuar ai.