Anulohet tenderi për mirëmbajtjen e rrugëve, Durmishi thotë se do të kursehen 22 milionë euro

3 muaj më parë

Anulohet tenderi për mirëmbajtjen e rrugëve, Durmishi thotë se do të kursehen 22 milionë euro

Zëvendësministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës (MMPHI-së), Hysen Durmishi ka thënë se kanë anuluar tenderët për mirëmbajtën verore dhe dimërore për rrugët rajonale e nacionale.

Sipas Durmishit me anulimin e këtij tenderi ministria i ka shpëtuar buxhetit të Kosovës 22 milionë euro.

Ai ka theksuar se me hapjen e konkursit të ri, në Kosovë rrugët do të rregullohen me produkte më cilësore që përdoren për herë të parë në vend.

“Siç jeni të informuar në konferencën e kaluar ne e kemi anuluar tenderin “Mirëmbajtja verore dhe dimërore e rrugëve nacionale dhe rajonale të Kosovës për vitet 2021/2022, 2022/2023 dhe 2023/2024”. Vlera e parashikuar e këtij projekti ishte 44 milionë euro. Kjo ishte kontratë kornizë 3 vjeçare, cila lejonte që menaxheri i kontratës t’a rriste vlerën e kontratës deri në 30%. Në fakt ky 44 milionësh bëhej 57 milionë. Nuk ka kontratë kornizë në të kaluarën që nuk është rritur për 3%. Në fund të javës së shkuar ne e kemi shpallur tenderin e ri ashtu siç patëm premtuar duke e ndryshuar në tërësi edhe si koncept”.

“Hapja e ofertave do të bëhet me datë 31 të këtij muaji. Kontrata do të jetë një vjeçare dhe atë me sasi fikse e jo me sasi fiktive siç ishte në të kaluarën. Kemi ndryshuar paramasën duke hequr pozicione të dyfishuara dhe sasi me hamendje dhe kemi llogaritë sasitë e sakta dhe mekanizimin e nevojshëm në bazë të standardeve. Gjithashtu kemi futur produkte të reja që e rrisin cilësinë e rrugëve dhe rrjedhimisht sigurinë në komunikacion. Disa prej këtyre produkteve do të përdorën për herë të parë në rrugët e Kosovës”.

“Vlera e parashikuar për këtë kontratë është 11 669 471,34 euro. Do të jetë e ndarë në 14 lloto. Nëse e llogarisim për 3 vitet e ardhshme ne do të shpenzojmë maksimalisht 35 milionë euro. Vetëm nga kjo kontratë buxhetit të Kosovës, i’a shpëtuam rreth 22 milionë euro. Pra po e bëjmë mirëmbajtjen më kualitative, po e rrisim konkurencën duke ndryshuar kriteret teknike dhe në të njëjtën kohë po e kursejmë buxhetin e shtetit”.

Durmishi foli edhe për shpronësimet në vend për të cilat tha se do të ndajnë buxhet shtesë për t’i përfunduar.

“Aktualisht kur po flasim ne kemi borgj 182 milionë euro për shpronësime në ndërkohë që në buxhet i kemi 7.2 milionë euro për këtë vit. Kjo ka shkaktuar shumë probleme në realizimin e shumë kontratave sepse nuk kanë përfunduar me kohë shpronësimet dhe janë shpallur shumë kontrata pa ndonjë analizë paraprake se si do të bëhen pagesat. Ka shumë vendime përfundimtare që kanë kaluar afatin dy vjeçar dhe tani çdo vonesë e këtyre pagesave paguhet me kamatë. Kemi kredi e kontrata ndërkombëtare dhe çdo vonesë shkakton dëmtim të buxhetit. Gjithashtu ka edhe shumë vendime të gjykatave për projekte që janë bërë në të kaluarën pa shpronësim fare, në fakt për disa projekte nuk janë bërë as elaboratet e shpronësimit. P.sh. rruga nga Prishtina e deri te rrethi te QMI nuk ka fare elaborate shpronësimi dhe tani kanë filluar të vijnë vendime të gjykatave për pronat në të cilat është ndërtuar rruga. Raste të tilla i kemi për 12 rrugë në territorin e Kosovës”.

“Tani ne jemi të detyruar që të veprojmë shpejtë dhe në rishikim të buxhetit të ndajmë buxhet shtesë për shpronësime sidomos për tri kategori kryesore e që janë: Vendimet gjyqësore, vendimet që i kanë kaluar 2 vite dhe kontratat që i kemi me kredi. Për të rritur buxhetin për shpronësime ne duhet që të zvoglojmë buxhetin për disa projekte të cilat kanë qenë të parapara me buxhet. Ne kemi marrë vendim që të pezullojmë të gjitha memorandumet me komunat që janë nënshkruar në vitin 2021. Këto memorandume janë nënshkruar pa u analizuar mirë dhe duke e pasur parasysh që jemi edhe në kohë pandemie rrezikojmë që të mos kemi mjete për realizimin e tyre. Vetëm në janar, shkurt dhe mars janë nënshkruar memorandume me komunat në vlerë 18.5 milionë euro”.

“Këto ndryshime po bëhen që ti përfundojmë disa projekte shumë të rëndësishme e që janë zvarritur me vite të tëra, siç janë rruga Prishtinë – Mitrovicë, rruga Prishtinë – Podujevë etj. Gjithashtu do të kujdesemi që projektet e reja të mos fillojnë pa e siguruar buxhetin dhe pa u përfunduar procedurat e shpronësimit për to”.

Durmishi gjithashtu njoftoi se janë anuluar të gjitha memorandumet me komunat për të cilat ka munguar analiza, raporton Ekonomia Online.

“Anulojmë memorandume që janë nënshkruar me të gjitha komunat sepse nuk janë analizuar mirë dhe kështu rrezikojmë. Projektet e reja nuk do të fillojmë pa e siguruar buxhetin dhe pa e kryer shpronësimin”.