Ankesa e Lubotenit shtyn KAS-in të nisë punën

2 muaj më parë

Ankesa e Lubotenit shtyn KAS-in të nisë punën

Klubi i volejbollit Luboteni (meshkujt) ka disa javë që është ankuar në Këshilli i Arbitrazhit Sportiv (KAS) të Kosovës, me pretendimin se Federata e Volejbollit e Kosovës (FVK) pa të drejtë e ka përjashtuar nga Superliga.

Njëherësh, ky është edhe rasti i parë që KAS-i, do ta trajtojë që nga themelimi i tij në vitin 2016 në Asamblenë Zgjedhore të Komitetit Olimpik të Kosovës (KOK). Për ta shqyrtuar ankesën e Lubotenit, anëtarët e KAS-it kanë mbajtur një takim të hënën. Kanë caktuar vetëm hapat proceduralë, por jo edhe të marrin ndonjë vendim rreth ankesës së njërit prej klubeve më të suksesshme në volejboll. Në klubin e volejbollit Luboteni, thonë se i janë drejtuar KAS-it pas refuzimit të ankesës së bërë nga FVK-ja.

Në fakt, Luboteni është përjashtuar nga Superliga me arsyetimin e FVK-së, bazuar në rregulloret e saj, se klubi ferizajas nuk është paraqitur në dy ndeshje. Te klubi nga Ferizaj presim gjykim të drejtë, derisa në FVK presin të mbetet në fuqi vendimi i tyre.

Kryetari i Lubotenit, Gazmend Hoxha, thotë të mos ketë informacion se të hënën është mbledhur KAS-i. Por, nga Këshilli i Arbitrazhit Sportiv pret gjykim korrekt.

“Do të jetë rasti i parë me sa e di që KAS-i do ta shqyrtojë dhe ta shohim se cili do të jetë vendimi i tyre. Ankesa jonë në FVK është refuzuar pasi sipas tyre, nuk ka bazë. Neve na kanë përjashtuar shkaku që nuk kemi marrë pjesë në garat e mëtejme pas rihapjes së aktiviteteve pas izolimit shkaku i koronavirusit. Ne kemi kërkuar që të testohemi, sepse nuk mund të rrezikojmë shëndetin e sportistëve. Në letrën e tyre na është bërë me dije që nuk do të ndëshkohet askush në këtë kohë pandemie, por që ka ndodhur e kundërta. Ne presim e mbesim me shpresë që do të ketë gjykim të drejtë”, ka thënë Hoxha për KOHËN.

Por, sekretari i përgjithshëm i FVK-së, Valon Nikçi, insiston se nuk kanë bazë për asnjë ankesë. Ai thotë se Luboteni nuk është treguar aspak korrekt me veprimet që ka bërë.

“Nuk kanë asnjë bazë për një ankesë të tillë, sepse ne kemi vepruar sipas rregulloreve dhe ndoshta dënimi është dashur të jetë edhe më i ashpër. Në fakt, Luboteni ka bërë dy herë shkelje. Ata e kanë pasur mundësinë për t’u tërhequr zyrtarisht, por nuk e kanë bërë këtë.