Amerikanët janë të fiksuar pas punës, po evropianët?

4 javë më parë

Amerikanët janë të fiksuar pas punës, po evropianët?

Amerikanët preferojnë të punojnë shumë, ndërsa europianët, një jetë më të rehatshme. Ky është perceptimi i ndeshur gjerësisht i ndarjes kontinentale të kulturës së biznesit, shkruan The Economist.

Por nuk ka qenë gjithmonë kështu. 40 vjet më parë, ka pasur shumë pak dallim ndërmjet të dyjave. Në librin e tij të ri “Shpenzimi i kohës, Burimi më i çmueshëm”, ekonomisti Daniel Hamermesh, shqyrton se cila është qasja e amerikanëve ndaj punës dhe kohës së lirë në krahasim me pjesën tjetër të botës së zhvilluar. Në gjysmën e parë të shekullit XX, java e punës amerikane ra ndjeshëm nga gati 60 orë në rreth 40. Deri në vitin 1979, një punëtor amerikan punonte mesatarisht rreth 38.2 orë në javë, afërsisht me numrin e orëve të punës që punonin në javë europianët.

Pikërisht këtu shifrat filluan të ndryshojnë. Për njëfarë kohe, java e punës në Amerikë u bë më e gjatë, duke shkuar në 39.4 orë në vitin 2000, para se të binte përsëri në 38.6 orë në vitin 2016. Megjithatë një prej dallimeve kryesore ishin pushimet. Në vitet 1980, europianët filluan të merrnin më shumë pushime vjetore, ndërsa amerikanët jo. Gjatë gjithë vitit, amerikanët punonin mesatarisht 34 orë në javë, gjashtë më shumë se francezët dhe tetë më shumë se gjermanët.

Çfarë e shpjegon këtë hendek? Disa thonë se kjo mund të shpjegohet vetëm nëpërmjet faktorëve kulturorë, por, siç thekson z. Hamermesh, është e vështirë të kuptohet se përse në 40 vitet e fundit, kultura amerikane u diferencua nga pjesa tjetër e botës së zhvilluar. Të tjerë e lidhin atë me uljen e taksave. Një tjetër shpjegim i mundshëm është se rënia në anëtarësimin në sindikata e ka dobësuar fuqinë e bisedimeve të punëtorëve amerikanë, ndryshe nga ato në Francë.

Një arsye tjetër më e besueshme është politika. Në Amerikë, punëtorëve nuk u ofrohen pushime të paguara, ndërsa Franca ofron një minimum prej 25 ditësh dhe Gjermania, 24. Franca gjithashtu e kufizon javën e punës në 35 orë.

Z. Hamermesh gjen shembuj të ngjashëm edhe në Azi. Në vitet 1980 dhe 1990, Japonia miratoi një ligj që reduktonte javën standarde të punës nga 48 orë në 40. Përveç kësaj, punëtorët paguheshin për çdo orë jashtë orarit. Një proces i ngjashëm ndodhi edhe në Korenë e Jugut midis viteve 2004 dhe 2008. Punëdhënësit iu përgjigjën duke ulur orët e punës në javë dhe punëtorët, edhe pse fitonin më pak, u shprehën në anketa të ndryshme se ishin më të lumtur.

Ndërsa në Amerikë, përfaqësuesit e sindikatave u përqendruan kryesisht në rritjen e nivelit të pagës minimale, duke bërë që një punëtor amerikan të fitonte mesatarisht 20 dollarë amerikanë në orë. Rritja e nivelit të pagave pati efekt nxitës. Punonjësit me pagesë të lartë punonin, tetë ose nëntë orë më shumë se punonjësit me pagë të ulët. Ky hendek u zgjerua nga fundi i viteve 1970.

Edhe pse të dhënat mund të tregojnë se të pasurit punojnë më shumë orë, të varfrit janë ata që punojnë në punët më të vështira. Është vërtet për t’u çuditur fakti se, edhe pse në fund të javës, të pasurit dalin me më shumë orë pune, njerëzit që punojnë si sanitarë, shpërndarës picash janë ata që punojnë gjatë natës dhe jo bankierët.

Pra, çfarë po ndodh? Ekonomisti John Maynard Keynes, ëndërronte që nipërit dhe mbesat e tij do të punonin vetëm 15 orë në javë. Por rënia në orët e punës në javë, që ai parashikoi, u ngadalësua pas viteve 1970. Kjo mund të pohojë edhe normalizimin e orëve të punës në 35-40 orë në javë. Çdo orë më tepër shoqërohej me punëtorë më shumë të stresuar dhe me një reduktim të numrit të kompanive që kishin një rendiment të lartë.

Kjo është gjithashtu një shenjë se z. Keynes e kishte gabim të mendonte se shoqëria do të vlerësonte më shumë kohën e lirë, duke reduktuar orët e punës. Në botën e zhvilluar, shumica e punonjësve fitojnë aq sa të mbajnë më së miri veten dhe familjet. E megjithatë ata kërkojnë më shumë, duan shtëpi në zonat më të mira të qytetit, të kalojnë pushimet në resortet më luksoze dhe të zotërojnë objekte të shtrenjta të cilat tregojnë statusin e tyre social. Pikërisht për të arritur një status të tillë social, punonjësit do të detyrohen të punojnë gjithnjë e më shumë për t’i fituar ato./ Monitor