Ambasadori Gashi thyen heshtjen: Kushdo që dyshon se kam shkelur ligjin duke shpërndarë artikullin le të më sfidojë në gjykatë

1 muaj më parë

Ambasadori Gashi thyen heshtjen: Kushdo që dyshon se kam shkelur ligjin duke shpërndarë artikullin le të më sfidojë në gjykatë

Ambasadori i Kosovës në Francë, Qëndrim Gashi, ka thënë se kurrë nuk e kishte qëllim të ofendonte ndokënd kur shpërndau në rrjetet sociale një artikull në të cilin figuronin karikatura të Profetit Muhamed.

Ai ka thënë se kushdo që beson se me këtë shpërndarje në Twitter të artikullit ai ka bërë ndonjë shkelje ligjore le ta sfidojë në gjykatë në Kosovë ose Francë.

“Kuptohet që qëllimi im nuk ishte që të ofendoja dikë dhe më vjen shumë keq kur pash njerëz që mund të jenë të lënduar sepse nuk i kanë ditur detajet e kontekstin e artikullit gazetar. Për më shumë, unë s’do ta bëja kurrë një ofendim komunitar nga çfarëdo pozite zyrtare, për arsye njerëzore e jo nga konsekuencat e mundshme ligjore. Kushdo që dyshon se unë kam shkelur ligj duke e shpërndarë një artikull që e jep kronologjinë e një akti terrorist, le të më sfidon në gjykatë, në Kosovë ose Francë. Kështu duhet të zgjidhen dilemat në shoqërinë tonë, përmes ligjit, e jo përmes kërcënimeve e dhunës”, ka shkruar Gashi në Facebook. “Unë, në emër të vlerave që e krijuan Kosovën e lirë dhe të pavarur, në emër të Kosovës, solidarizohem plotësisht me viktimën dhe me shoqërinë franceze e cila është goditur fort këtyre viteve të fundit nga akte terroriste me ngjyrime fetare. Franca e ka luajtur një rol të posaçëm e historik në rrugëtimin e të drejtave dhe lirive të njeriut, andaj edhe ajo bëhet cak i shpeshtë i ekstremistëve. Duke u solidarizuar me Francën sot, ne e sfidojmë jo vetëm shtrirjen tek ne të islamit politik apo cilësdo ideologji politiko-shtetërore të bazuar kryekëput në religjion, por edhe e avancojmë humanizmin botëror, fal të cilit ne sot jemi të lirë në Kosovë”.

Veprimi i Gashit kishte marrë shumë kritika, madje Gëzim Kelmendi i Partisë Fjala, ka kërkuar shkarkimin dhe arrestimin e Gashit për nxitje të urrejtjes fetare.

Gashi ka treguar se ai thjeshtë kishte ndarë artikullin e “Le Figaros” ku ishte botuar një kronologji e aktit terrorist të javës së kaluar ku iu pre koka një profesori për shkak të karikaturave të Profetit Muhamed.

Ai ka insistuar se nuk i censuron mediat.

“Të premten e kaluar iu hoq koka – po e përsëris, iu hoq koka – para një shkolle të mesme të ulët, një profesori të historisë-gjeografisë në një qytet afër Parisit. Krimi i tij: iu kishte ligjëruar nxënësve të tij për lirinë e shprehjes si dhe kufijtë e asaj lirie, dhe e kishte marrë shembullin e famshëm të Charlie Hebdo dhe ilustrimet e karikaturave të Muhamedit. Kjo ngjarje makabre e shokoi Francën, komunitetin e diplomatëve në Francë, por edhe tërë ata që e avancojnë dijen dhe tolerancën përmes arsimit kudo në botë. Unë vet jam profesor dhe e mbroj me ngulm lirinë akademike. Të hënën gazeta e njohur “Le Figaro” e botoi një kronologji të ngjarjeve të aktit terrorist në fjalë dhe si ilustrim i përdori dy karikaturat e Charlie Hebdo. Unë e ndava artikullin, pra artikullin e plotë, në konton time në Twitter, pa komentuar fare në përmbajtje e as në formë. Të njëjtat janë shfaqur në disa mediume në Kosovë, madje edhe mbrëmë, në kontekst informues. Unë nuk i censuroj mediat. Disa orë më pas doli një deklaratë linçuese ndaj meje dhe ajo i nxiti disa fanatikë që jo vetëm të më ofendojnë e shajnë me gjuhë vulgare (edhe pse ata pretendonin se dikush kishte bërë një vulgaritet!) por edhe të më dërgojnë mesazhe kërcënuese, të cilat i raportohen organeve të rendit. Unë nuk e përkrah e as arsyetoj dhunën”, ka treguar Gashi, duke thënë se vitin e kaluar ishte cak i një sulmi që vinte nga “krahu tjetër”. “Tash, çfarë të mendojë një qytetar i Kosovës për ambasadorin e vet në Francë? Unë jam ambasador i të gjithëve, i atyre që besojnë, pa dallim feje, si dhe i atyre që s’besojnë fare. Por, unë jam edhe ambasador i një shteti i cili i krijua pikërisht duke u bazuar vlerat perëndimore, në liri e demokraci, në shtet ligjor. I një shteti i cili aspiron të integrohet në strukturat evro-atlantike. Pra, ju ftoj të reflektojmë së bashku, si lindi liria jonë dhe ku i kemi thënë vetes që po shkojmë”.

Gashi ka thënë se nuk përkrah censurin e mediave sepse e ka parë vet çka dotë thotë të jesh shqiptar në Kosovë në vitet e 90-ta kur televizoni shqip ndalohej.

“Unë jam kundër dhunës sepse vet e kam përjetuar luftën në Kosovë. Por, unë nuk e përkrah aspak tentim-instalimin e teokracisë e as të ekstremizmit fetar. Përgjigjet për plot çështje mund t’i gjejmë nëse flasim për religjionin si e drejtë personale. Ligjet e republikës tonë laike janë mbi normat e tjera. Dhe këto ligje na mundësojnë ta shfaqim respektin për të gjitha komunitetet fetare në Kosovë, sidomos për komunitetin më të madh, atë musliman, respekt të cilin e ndaj edhe unë. Unë do të solidarizohem përherë me viktimat. Do ta mbroj përherë me ngulm lirinë besimit e të mos-besimit. Do të punoj gjithmonë për tolerancë. Por, toleranca nuk avancohet me mosdije e mos-informim. Andaj do të punoj për mbrojtjen e lirisë së mendimit, të informimit e të shprehjes. Si mysliman, si katolik, si ortodoks, si hebre, si protestant, si anëtar i tarikateve, si bektashi, si ateist… Si shtetas i Republikës së Kosovës”, ka shkruar Gashi.