Aliu: Grafiti kërcënim për LVV dhe mbase paralajmërim për vrasje tjera

7 muaj më parë

Aliu: Grafiti kërcënim për LVV dhe mbase paralajmërim për vrasje tjera

Në objektin e Teatrit Kombëtar në Prishtinë, janë bërë disa grafitë ku shihet një shishe e mjaltit, ku shkruan “I’m not a Gun”.

Në lidhje me këtë deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), Liburn Aliu në një konferencë për media ka thënë se ky grafit është një kërcënim për këtë parti si dhe rikujtim për vrasjen e aktivistit të LVV-së, Astrit Dehari.

Aliu tha se ky grafit mund të jetë kërcënim edhe për vrasje tjera.

“Dy ditë më parë, saktësisht në natën e 9 janarit dikush në formën më të tmerrshme na e ka kujtuar vrasjen e Astritit. Më 5 nëntor të 2016 vritet aktivisti jonë Astrit Dehari. Deklarimet ishin se ai ka konsumuar barna dhe ka vdekur. Pastaj u tha që ka kryer vetëvrasje se ka qenë i mërzitur. Thanë se e kishte mbytur veten me shishen e mjaltës e gjetur në dhomë. Mjekët ligjor deklaruan se vdekja ishte e dhunshme dhe mundësia për të kryer vetëvrasje ishte e pamundshme”, ka thënë Aliu.

Ai tha se dikush u përkujdes të kujtoj edhe njëherë, që Astritin e kanë vrarë në burg, transmeton Telegrafi.

“Grafiti në objektin e teatrit paraqet shishen që është vrarë Astriti në burg dhe në shishe shkruan ‘I am not a Gun’ (Unë nuk jam armë). Njerëzit nuk e imagjinojnë se si ndihet familja e Astritit kur ta shohin këtë grafitë në formë bizare të rikujtimit të vdekjes. Ky grafit në këtë kohë mbase dëshmon dy gjëra: dëshmon pranimin e vrasjes së Astritit dhe njëkohësisht mbase mund të jetë kërcënim për vrasje tjera, mbase mund t’i ketë në mendje. Grafitet janë kërcënime dhe nuk do ta ndalin Lëvizje Vetëvendosje”, u shpreh ai.

Mirëpo, deputeti i LVV-së, Aliu në lidhje me këtë grafit shtroi një pyetje: “Por kur vjen ky kërcënim, pse bash tash? Tani në prag të përpjekjeve për një marrëveshje, pra para synimeve që të ketë koncesione tjera kundrejt Serbisë. Pushteti që një kohë ka provuar të dobësoj Lëvizjen Vetëvendosje në shumë forma dhe këto forma mbase iu kanë dështuar. Ky grafit dëshmon se ajo ka qenë arma e vrasjes. Ky grafit thotë që përdorimi i asaj shishe do të vazhdoj dhe paralajmëron vrasje të reja ndaj atyre që po prishen plane atyre që e mbajnë këtë vend të ngulfatur politikisht…”. Aliu shtoi se vrasja e Astritit ishte e paralajmëruar. “ ‘Ruani se po vetëvraheni’, ishte një nga deklaratat në Kuvendin e Kosovës”, tha ndër të tjera, Liburn Aliu.