Akuzat për 87 vrasjet, Thaçi në Tiranë: Të mos biem në grackë të ndonjë lajthitjeje për të dëmtuar imazhin e Kosovës

4 javë më parë

Akuzat për 87 vrasjet, Thaçi në Tiranë: Të mos biem në grackë të ndonjë lajthitjeje për të dëmtuar imazhin e Kosovës

Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi ka qenë dje në Tiranë, pas akuzave të Hagës mbi 87 vrasjeve në adresë të tij dhe disa udhëheqësve dhe luftëtarëve të UÇK-së.

Thaçi  ka folur gjatë një interviste në emisionin “Opinion” mbi publikimin e një dosjeje të cilësuar si e  Prokurorisë Speciale, sipas të cilës drejtuesit e UÇK akuzohen për të paktën 87 vrasje gjatë kohës së luftës në Kosovë.

Presidenti nuk ngurroi të deklaronte se dyshonte në vërtetësinë e kësaj dosjeje dhe në origjinalitetin e dokumenteve të publikuara, ndërsa foli edhe për intervistimin e tij në Gjykatën e Hagës.

“Nga një anë nuk dihet vërtetësia dhe origjinaliteti i këtyre dokumenteve. Nga ana tjetër duhet kohe dhe që autoritetet kompetente ta thonë fjalën e tyre dhe jo mediumet apo njerëzit jo kompetentë. Derisa të vërtetohet nëse janë origjinale dhe rrjedhje të gjykatës duhet të jemi shumë të kujdesshëm në mënyrë që të mos biem në grackë të ndonjë lajthitjeje për të dëmtuar imazhin e Kosovës. Unë kam qenë 4 ditë në intervistim në Hagë, asnjë nga këto gjëra nuk u ballafaqua në pyetjet që m’u bënë”, u shpreh Thaçi.

Më tej, i pyetur lidhur me përmbajtjen e intervistës së tij në Hagë, Thaçi tha: “Janë gjëra të përcaktuara në kornizën e veprimit të dhomave të specializuara. Por mund të them për tërë aktivitetin tim jetësor, politik, patriotik, të luftës”.

Prej ku fillonte ky pyetësor?

Thaçi: Prej ditës që kam lindur deri kur ka përfunduar lufta.

A jeni pyetur për shtëpinë e verdhë?

Thaçi: Për 4 ditë sa kam qëndruar, asnjë pyetje për shtëpinë e verdhë.

 A jeni pyetur për ndonjë vrasje ku ju keni keni marrë pjesë?

Thaçi: Asnjë pyetje për asnjë vrasje.

Referencat e dokumenteve kryesore janë libra, shkrime gazetash dhe kujtime të anëtarëve të UÇK-së. Jeni pyetur për këto?

Pothuajse, intervistimi ka qenë i bazuar në intervista publike, në libra të UÇK-së dhe gjithashtu mbi Facebook apo google research etj.

A mendoni se UÇK ka vrarë 87 persona, 59 nga të cilët në paraburgim. A ka patur paraburgim UÇK?

Unë nuk e di dhe nuk e besoj që ka patur, ndërsa mund të them që gjithë bota e di se Serbia ka kryer gjenocid në Kosovë ka kryer mbi 12 mije vrasje të shqiptarëve dhe ka dhunuar mvi 20 mijë gra shqiptare, lufta e UÇK ka qenë e drejtë e pastër.