Aktorët e Teatrit Kombëtar kërkojnë rritjen e pagës bazë

4 vite më parë

Aktorët e Teatrit Kombëtar kërkojnë rritjen e pagës bazë

Aktorët rezident të TKK-së në Ditën Botërore të Teatrit kanë kërkuar që të shqyrtohen kërkesat e tyre, duke përfshirë edhe rritjen e pagës bazë, në këtë kundërtën, ata kanë paralajmëruar bllokimin e gjithë repertorit të TKK-së.

Sot Dita Botërore e Teatrit nuk u festua në Kosovë. Aktorët rezident të institucionit kulturor në vend, siç është Teatri Kombëtar i Kosovës, protestuan pikërisht në këtë ditë, duke kërkuar kështu rritjen e pagës bazë dhe të drejtat e tyre, fillimisht si njerëz e pastaj si punëtorë.

Kjo protestë nuk ishte si protestat e zakonshme që jemi mësuar t’i shohim. Aktorët e trupës rezidente të TKK-së, përpos fjalimit të mbajtur, ata mbajtën edhe një performancë interesante në skenën e madhe të Teatrit Kombëtar të Kosovës.

Kjo performancë nuk kishte aktorë, ishte vetëm skena dhe dritat e lëshuara mbi të. E pas disa minutave heshtje që mbizotëroi në këtë sallë, aktorët nisën të duartrokitnin. “Bravo, bravo… hajde edhe njëherë…” ishin thirrjet e aktorëve të trupës rezidente të Teatrit Kombëtar të Kosovës, drejtuar skenës së zbrazët të këtij institucioni, shkruan kultplus.

“Ju njoftojmë se nëse gjatë javëve të ardhshme nuk shohim hapa konkret dhe nëse nuk përfillet kërkesa jonë për ngritjen e pagës bazë, ne aktorët e TKK-së, pa vullnetin tonë, jemi të shtrënguar t’i bëjmë publike edhe hapat tonë të mëtutjeshëm sindikal, në përputhje me ligjet sindikale si dhe në bashkërendim me SBASHK-un, ashtu siç ju kemi paralajmëruar edhe në shkresat tona paraprake gjatë vitit 2016 dhe 2017, deri në grevë të përgjithshme dhe bllokim të tërësishëm të repertorit të TKK-së”, thuhet në kërkesën e aktorëve të drejtuar institucioneve të lartpërmendura./AktivPress