Aktakuzë kundër imamit Shefqet Krasniqi për terrorizëm

5 vite më parë

Aktakuzë kundër imamit Shefqet Krasniqi për terrorizëm

Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur aktakuzë në Gjykatën Themelore në Prishtinë, kundër të pandehurit, imamit Shefqet Krasniqi.

Aktakuza sipas prokurorisë është ngritur për veprat penale “shtytja për kryerjen e veprave terroriste”,”Nxitja e urrejtjes, përçarjes ose mos durimit kombëtar, racor, fetar apo etnik” si dhe “shmangia nga tatimi”.

“Sipas aktakuzës i pandehuri Sh.K. në cilësinë e imamit të xhamisë se madhe ‘Mehmet Fatih’ në Prishtinë, në vazhdimësi dhe me dashje ka shpërndarë mesazhe për publikun, përmes paraqitjeve të tij tё drejtpërdrejta para publikut përmes ligjëratave të ndryshme, si dhe duke shfrytëzuar rrjetet sociale dhe mjetet tjera të informimit, përmes gjuhës së vrazhdë dhe interpretimit të ajeteve Kuranore jashtë kontekstit kohor dhe frymës parimore islame, ka shtyrë tё tjerët ta marrin rrugën drejt zonës së konfliktit në Siri dhe Irak e më pas të kryejnë akte terroriste, si dhe ka cilësuar disa grupe fetare si armiq të myslimanëve-sunit, duke nxitur dhe përhapur urrejtje, përçarje dhe mosdurim ndaj grupeve tjera fetare, të cilat jetojnë edhe në Republikën e Kosovës”, thuhet në njoftim.

Sipas njoftimit të prokurorisë, Krasniqit i është ngritur aktakuzë edhe për fshehje të tatimit.

“I pandehuri i lartcekur si tatimpagues dhe pronar i biznesit N.T “Portat”, ka fshehur dhe shmangur tatimin, me dashje ka dhënë tё dhëna tё pasakta, si dhe nuk i deklaruar tё dhënat tjera relevante lidhur me obligimet tatimore, duke iu shmangur obligimeve tatimore në vlerë tё përgjithshme prej  20,208.57 €”, përfundon njoftimi./Aktivpress