Agron Tufa: U kërkova ndihmë ambasadave, por nuk m’u përgjigjën

8 muaj më parë

Agron Tufa: U kërkova ndihmë ambasadave, por nuk m’u përgjigjën

Prej disa muajsh ish-drejtori i ISKK Agron Tufa kanosej nga ithtarët e regjimit të vjetër. Ai ka kërkuar azil politik në Zvicër. Tufa i tha DW. e “I pavarur dhe në liri, shpresoj të flas e të dëshmoj më troç”.

Në fillim të dhjetorit u bë e ditur, fillimisht nëpërmjet mediave sociale, se Agron Tufa, deri para pak kohësh drejtor i Institutit të Studimeve të Krimeve të Komunizmit (ISKK), së bashku me të shoqen dhe pesë fëmijët e tij të mitur, kishte kërkuar azil politik në Zvicër. Si shkak për këtë  vendim Tufa, laureat i  disa çmimeve kombëtare në letërsi, dha kërcënimet e shumta që kishte marrë nga njerëz të ndryshëm, kryesisht nëpërmjet telefonatave dhe mesazhesh të shkruara.

Heshtje e ambasadave

Agron Tufa i tha Deutsche Welle-s  se ai në fillim të nëntorit i kishte raportuar kërcënimet edhe tek një sërë ambasadash perëndimore: “Unë u kam dërguar të gjitha ambasadave kryesore në Tiranë, përfshirë edhe asaj të OSBE-së dhe BE-së, një raport me 16 faqe me një kronologji të kërcënimeve të mia, ku ishin dokumentuar edhe mesazhet kërcënuese, në shqip dhe anglisht, por ato nuk më kanë kthyer asnjë përgjigje”, i tha Tufa Deutsche Welle-s.

E pyetur nga Deutsche Welle, Ministria e Punëve të Jashtme të Gjermanisë, u përgjigj: “Ambasada në Tiranë ka qenë në kontakt me personin në fjalë në funksionin e tij si drejtues i Institutit në fjalë. Deri tani nuk ka pasur kërkesë për ndihmë”.