Agjentët e njohur britanikë që vepruan në Shqipëri

2 muaj më parë

Agjentët e njohur britanikë që vepruan në Shqipëri

Në librin “Sekretet e luftës”, tregohen historitë e disa agjentëve britanikë që vepruan në Shqipëri gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe që ndikuan në zhvillimet e mëvonshme. Më poshtë janë historitë e disa prej tyre.

Anthony Quayle (në foto, i pari djathtas) jetoi për një vit në Dukat të Vlorës. Pas luftës do të kthehet në një nga aktorët e njohur të Hollivudit. Shqiptarët e njohin kryesisht për rolin e tij në filmin “Lorenci i Arabisë”. Kujtimet e tij mbi aventurën shqiptare të botuara në 1948, janë ende të papërkthyera në shqip.

Alan Hare, ende pa mbushur 25 vjeç, luftoi dhe punoi për një vit në Shqipëri. Në kushte të vështira, rrezikoi jetën disa herë dhe kujton që u detyrua të vriste mushkën për të ushqyer grupin e luftëtarëve gjatë dimrit të egër 1943-1944. Hare do bëhet një nga drejtuesit më të njohur të shërbimeve sekrete britanike MI6, pas lufte. Në vitet 1960, do shkëputej prej tyre, për të nisur një karrierë si një ndër menaxherët më të njohur në fushën e medias.

Bill Tillman, një nga eksploratorët më të njohur të shekullit XX, jetoi një vit në malet e jugut të Shqipërisë, kryesisht në fshatin Sheper të Gjirokastrës. Sot shkolla e fshatit mban emrin e tij.

Majori Tony Simcox ishte i atashuar në grupin e Kryezinjve, luftoi bashkë me ta për çlirimin e Gjakovës nga gjermanët, ku dhe u plagos, por u arrestua nga partizanët bashkë me Said Kryeziun.

Julian Amery qëndroi për disa muaj në shtabin e Abaz Kupit, në vitin 1944. Djalë i një familjeje aristokrate dhe me traditë në politikë, do të bëhej një nga zërat e spikatur të konservatorëve të pasluftës. Ishte disa herë deputet dhe ministër, ndërsa u martua me vajzën e kryeministrit britanik, Harold Macmillan.