Agjencia e Privatizimit mund të shuhet vetëm me ndryshim të ligjit

1 muaj më parë

Agjencia e Privatizimit mund të shuhet vetëm me ndryshim të ligjit

Shuarja e Agjencisë Kosovare të Privatizimit dhe transferimi i saj në kuadër të një agjencie brenda Qeverisë së Kosovës është njëra ndër prioritetet e kryeministrit Albin Kurtit për sa i përket zhvillimit ekonomik të vendit gjatë qeverisjes së tij. Me krijimin e fondit sovran pritet që asetet strategjike të Kosovës të kalojnë në duart e këtij fondi. Mirëpo një gjë e tillë sipas njohësve të çështjeve të ekonomisë po shihet me rrezik.

Sipas tyre, këto vendime kanë rrezik për shkak që, siç theksojnë ata, sado që të jetë e parashikuar mirë reforma, të njëjtat varen nga jetëgjatësia e qeverisë. Po ashtu edhe mospërfundimi i procesit të privatizimit po shihet si pengesë për realizimin e këtij synimi. Kjo pasi që AKP-ja është ende në proces të privatizimit në kuadër të tranzicionit në këtë sektor, shkruan “Zëri”.

Ndërsa ish-anëtarë të Komisionit për Zhvillim Ekonomik gjatë legjislaturës së VI i kanë pohuar “Zërit” se shuarja e AKP-së duhet të bëhet me kohë dhe me procedura. Agjencia Kosovare e Privatizimit është themeluar si një organ i pavarur publik, i cili i ushtron funksionet dhe përgjegjësitë në mënyrë plotësisht të pavarur dhe të përcaktuara me ligj.