Agim Sopi, laureat i çmimit të parë për Dramë Origjinale Shqipe “Katarina Josipi”

2 javë më parë

Agim Sopi, laureat i çmimit të parë për Dramë Origjinale Shqipe “Katarina Josipi”

Ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi, ka nënshkruar vendimet për çmimet për laureatët për Dramë Origjinale Shqipe “Katarina Josipi” për vitin 2020, në bazë të vlerësimeve të jurisë profesionale.

Çmimi i parë për Dramë Origjinale Shqipe “Katarina Josipi” për vitin 2020 i ndahet dramës “Cari i Carave”, të autorit Agim Sopi, çmimi i dytë i ndahet dramës “ Shtëpia e të humburve “, të autorit Zgjim Baraliu, ndërsa çmimi i tretë dramës “Era”, të autores Albana Muja.

Ministrja Dumoshi me rastin e nënshkrimit të vendimeve i uroi laureatët për çmimet, duke e vlerësuar dhe marrë në konsideratë punën e jurisë profesionale.

“Si Ministri përmes këtyre çmimeve ne e tregojmë mirënjohjen për autorët që shkruajnë drama si dhe nxisim krijimtarinë e vlerat e mirëfillta”, tha mes tjerash ministrja.

Në bazë të vendimeve të nënshkruara nga ministrja Dumoshi, çmimi i parë shoqërohet me shpërblim financiar prej 3600 euro, i dyti me 2400 euro dhe i treti me 1200.

Çmimet u janë ndarë laureatëve pa ceremoni të organizuar ashtu siç edhe tradicionalisht MKRS-ja i ndan këto çmime, për arsye se njëri prej tyre është i infektuar me virus dhe kjo gjë ka pamundësuar një organizim të këtillë.

Juria profesionale ka qenë në përbërje të Selman Jusufi – kryesues, dhe anëtarët: Arian Krasniqi – dramaturg, Ilir Bokshi – regjisor, Naser Shatrolli – dramaturg (përfaqësues i MKRS-së) dhe Adrian Morina – aktor.