Abrashi ka nisur edicionin e gjashtë në Bundesligë

2 muaj më parë

Abrashi ka nisur edicionin e gjashtë në Bundesligë

Në mes të vitit 2015, Amir Abrashi ka lëvizur nga Grasshoppersi te Freiburgu. Prej atëherë Abrashi ishte një aset i sigurt për klubin e Bundesligës.

Rrjedhimisht edhe kontrata i është vazhduar.

Abrashi, 30-vjeçar, tashmë i ka luajtur mbi 100 ndeshje për Freiburgun. Do të ishin dhjetëra më shumë sikur mos të detyrohej të pushonte për 11 muaj për shkak të operimit të ligamentit në vitin 2018. Ai kryesisht luan si mesfushor defansiv dhe gjithnjë shquhet për përkushtimin.

Te Freiburgu e dinë se çka kanë me Abrashin. Në mes të qershorit kontrata e Abrashit është vazhduar edhe një herë. Në klub presin që ai të shfrytëzohet më shumë se edicionin e kaluar. Kur Abrashi ka luajtur, ai ishte i gatshëm. Për më tepër, cilësitë humane të tij, sidomos në zhveshtore, mbesin shumë të rëndësishme për Freiburgun.

“Një prej anëve pozitive është se mund t’i jap ekipit forcë dhe të shtyj ekipin para. Do të vazhdoj të bëj këtë me shumë motivim për skuadrën dhe për klubin”, ka thënë Abrashi kur ka vazhduar kontratën me Freiburgun.

Karriera e Abrashit ka nisur te FC Bischofszell në Zvicër. Përmes Weinfelden-Buerglan dhe Winterhurit, ai arriti te Grasshoppersi. Te kjo skuadër luajti shumë mirë dhe siguroi kontratë me klubin e njërës prej ligave më të mira në botë.

Se Freiburgu vazhdon të llogarisë në Abrashin u dëshmua edhe në një miqësore të fundit të gushtit. Freiburgu u përball me St. Gallenin. Ndeshja u luajt dy herë nga 60 minuta, kurse Abrashi u aktivizua në minutën e 76-të. Shënoi për 2:1 në minutën e 107-të. Freiburgu fitoi 3:1.

Por shënimi i golave nuk është anë e fortë e Abrashit.

Abrashi ka bërë karrierë të respektueshme edhe në futbollin ndërkombëtar. Ka luajtur 37 ndeshje për Shqipërinë, pasi kishte 18 paraqitje për U-21 të Zvicrës. Në “Euro 2016” luajti nga 90 minuta në tri ndeshje, ndaj Zvicrës e Francës, ndër të tjera. Abrashi vazhdon të jetë i rëndësishëm te Shqipëria. Por edhe te skuadra e Bundesligës.

Fundjavën e kaluar Freiburgu fitoi 3:2 në udhëtim ndaj Stuttgartit. Abrashi u aktivizua vetëm në minutën e 89-të. Por për të më e rëndësishme është që skuadra të fitojë.