AAK: Gjasat për qeveri teknike janë zero

1 muaj më parë

AAK: Gjasat për qeveri teknike janë zero

Vetëm tri ditë na ndajnë nga seanca e ftuar për shpërndarjen e Kuvendit të Kosovës, teksa shumica e partive politike të vendit janë deklaruar pro mbajtjes së zgjedhjeve. Mirëpo përfaqësues të subjekteve politike dhe analistë shprehen skeptikë se shpërndarja e Kuvendit do të ndodhë në këtë datë, për shkak se, sipas tyre, ndonjëra nga partitë mund të ndërrojë qëndrimin dhe potencialisht të kontribuojë në formimin e një qeverie të re teknike.

Në anën tjetër deputetët nga partia e kryeministrit në detyrë Ramush Haradinaj, AAK, vlerësojnë që zgjedhjet e reja janë të pashmangshme, ndërsa skenari për formimin e një qeverie teknike sipas tyre është i pamundur. Të paktën kështu deklaroi për “Zërin” deputeti i kësaj partie, Rasim Selmanaj, i cili tha se shpreson që më 22 qershor të shpërndahet Kuvendi.

“Sipas meje, gjasat për qeveri teknike janë zero dhe jam i bindur që Parlamenti shpërndahet më datën 22. Dëshiroj të besoj që me 93 nënshkrime të deputetëve për këtë seancë duhet të ndodhë dhe do të ndodhë”, ka thënë ai.

Ai theksoi se meqë 93 deputetë kanë dhënë nënshkrimet e tyre për shpërndarjen e Kuvendit, një gjë e tillë sipas tij është e pashmangshme.

“Meqenëse janë 93 nënshkrime të deputetëve të Kuvendit të Kosovës dhe seanca është thirrur vetëm për ta votuar marrëveshjen për fondet e IPA-së, është e vetmja pikë tjetër e rendit të ditës shpërndarja e Parlamentit. Kështu që unë besoj dhe jam i bindur që kjo do të ndodhë më 22 gusht”, ka thënë ai./ZERI