“A Poster Every Day”, sfida e dizajnerit shqiptar

3 vite më parë

“A Poster Every Day”, sfida e dizajnerit shqiptar

Të sfidosh veten çdo ditë nuk është aspak e lehtë, mirëpo shembulli i dizajnerit Durim Hoti me eskpozitën e tij “A Poster Every Day” do t’ju motivoj të bëni një gjë të tillë.

Por çfarë është kjo sfidë? “A Poster Every Day” është një trend global i cili ka filluar në botën e dizajnit ku dizajnerat nga e gjithë bota e sfidojnë vetën duke bërë postera, çdo ditë për një vit.

Kjo ekspozitë e mbushur me ngjyra , efekte të ndryshme dhe forma shumë interesante ka bërë që shumë adhurues të artit ta gjejne veten e tyre në këta postera, prandaj Hoti ka vendosur që me 10 maj ta sjell edhe në Prishtinë për artdashësit.

Durim Hoti për AktivPress është shprehur se është duke punuar çdo ditë për të krijuar diçka të re.

“Tema e ekspozitës është 365 postera në vit, është një trend i dizajnerave botëror që i jam bashkangjitur edhe unë kësaj sfide, ku po mundohem çdo ditë të krijoj nga një poster në ditë”, tha ai.

Veçantia e kësaj ekspozite është që nuk ka një temë të caktuar, ka llojllojshmëri, e cila ju jep më shumë mundësi njerëzve ta gjejnë vetën.

“Posterat nuk kanë një temë të caktuar, secili poster ndryshon nga tjetri, për arsyeje që disponimi dhe inspirimi ndryshojnë nga dita në ditë. Por unë jam munduar ta shpreh atë që ndjejë brenda. Shumica e posterave përmbajnë një thënie që e shprehin një gjendje emocionale timen.

Gjithashtu këtë e kam bërë, që njerëzit të munden ta gjejnë veten aty, pasi të gjitha përshkruajnë gjendjen aktuale të shoqërisë sonë. Duke e ditur që në trevat tona ka shumë paragjykime dhe për këtë njerëzit ngurojnë të veprojnë, me anë të kësaj unë po mundohet që edhe të tjerëve t’ju jap një motiv në mënyrë që ta shfaqin veten, t`i bashkangjiten kësaj iniciative”, u shpreh ai për AktivPress.

Dizajneri Hoti për herë të parë e ka shfaqur këtë ekspozitë në Tiranë, i cili tha se është ndarë shumë i kënaqur nga interesimi i publikut./AktivPress