A ndoqën fëmijët e diktatorëve gjurmët e baballarëve?/ Nga Enver Hoxha, Çaushesku dhe Musolini

5 ditë më parë

A ndoqën fëmijët e diktatorëve gjurmët e baballarëve?/ Nga Enver Hoxha, Çaushesku dhe Musolini

Kryeministri legjendar britanik, Uinston Çërçill, nuk e honepste fare dhëndrin e tij, Vik Oliver. Ky kishte luftuar dikur në krah të armikut të Britanisë, Austrisë, gjatë Luftës së Parë Botërore. Ishte një tip kryesisht mediokër, dhe dy herë i divorcuar, para se të fejohej fshehurazi me vajzën e Çërçillit.

Një herë, në përpjekje për të hapur një bisedë të shpenguar, Oliver e pyeti Çërcillin se cilin nga liderët e Luftës së Dytë Botërore admironte më shumë. Çërçilli iu përgjigj: Musolinin! I mahnitur, Oliver e pyeti pse. “Pasi ai pati guximin të vriste dhëndrin e tij”- u përgjigj Uinston.

                                                                 Uinston Çërçill

Në librin e tij Xhej Nordlinger “Fëmijet e përbindëshat”, gjen shumë anektoda mbi personazhet famëkeqe në histori. Ai flet mbi fatet e djemve dhe vajzave të diktatorëve. Sa larg bie molla nga pema e kalbur? Jo rrallë. Për shembull, Hideki Tojo ishte udhëheqësi i ashpër nacionalist i Japonisë gjatë Luftës së Dytë Botërore, dhe ndoshta avokati kryesor i sulmit mbi Pearl Harbour. Por vajza e tij u martua me një amerikan, dhe jetoi pjesën më të madhe të jetës së saj në Honolulu.

Ndërkohë, Shqipëria u drejtua për mbi 40 vjet nga Enver Hoxha, një komunist totalitar aq ekstremist, sa që u nda me Bashkimin Sovjetik, kur Moska e dënoi kultin e Stalinit, dhe nga Republika Popullore e Kinës, kur ajo e braktisi Maon.

                                                           Enver Hoxha, Mao Ce Duni

Pa aleatë në terrorin e tij, Hoxha këmbënguli tek mbështetja tek forcat e veta (pra izolimi total) dhe tek burimet shumë të kufizuara kombëtare të vendit më të varfër në Evropë. Dhe në një vend që kishte probleme me strehimin, ai urdhëroi ndërtimin e mbi 750.000 bunkerëve prej betoni.

Shqipëria  e Hoxhës, nuk kishte më shumë se 3 milionë njerëz. Ndaj Hoxha ndërtoi më shumë se 60 bunkerë për çdo kilometër katror, ​​1 bunkerë për çdo 4 persona, dhe që të gjithë bunkerët kushtuan 3 herë më shumë sesa betoni që u harxhua për ndërtimin e linjës së famshme mbrojtëse Mazhino në Francë.

Sipas Nordlinger, djali i Hoxhës, megjithë ndalimin nga babai i tij të makinave private në vend, i lejoi vetes pasjen e një Mercedesi. Dhe kur mbaroi Lufta e Ftohtë, trashëgimtari i diktatorit deklaroi: “Tani në Shqipëri po vijnë më të këqijat e shoqërisë kapitaliste:papunësia, prostitucioni, korrupsioni, çmimet e larta dhe inflacioni!”.

Ju mund të pyesni veten se sa bij dhe bija zgjodhën ta nderonin babanë e tyre diktator. Praktikisht, nëse një fëmijë do të kishte mundësi, do të përfitonte nga privilegjet e të qenit pasardhës të diktatorit. Pasi kjo do të thoshte të shijoje një standard jetese, shumë më të lartë se sa qytetari normal.

Françisko Franko e sundoi Spanjën për 4 dekada, pasi fitoi në Luftën Civile. Fëmija i tij i vetëm u martua në gjirin e monarkisë spanjolle. Duke pasur parasysh raportet incestuoze të monarkive evropiane, kjo do të thotë që stërnipi i Frankos, Luis de Burbon, konsiderohet si mbreti legjitim i Francës.

                                                         Françisko Franko

Por ndonjëherë djali i diktatori, nuk ka nevojë të jetë më në pushtet:Një nga djemtë e Musolinit u bë një pianist i talentuar i xhazit, duke interpretuar pas Luftës së Dytë Botërore nën një emër të rreme, para se të zbulohej më vonë. Ai u martua me Maria Sokolonen, motrën e Sofia Loren.

Sigurisht, vetë akti i të jetuarit më mirë, e kundërshton shpesh ideologjinë e deklaruar të regjimit. Dy fëmijët e parë të diktatorit komunist rumun, Nikole Çaushesku zgjodhën karriera në shkencat e natyrës, mbi atë politike. Kur u rrëzua regjimi, vajza e tiranit Zoja, u arrestua në një shtëpi të mbushur me stoli, para dhe vepra të shtrenja arti.

Ajo pyeti në mënyrë të pacipë: A keni vend në makinën e policisë për kafshët e mia? Në të njëjtën mënyrë, një nga mbesat e Mao Ce Dunit, u rendit në vitin 2013 si një nga gratë më të pasura në Kinë. Ajo kishte 3 fëmijë, duke shkelur politikën e një fëmije.

Dikatori libian Muamar Gadafi, ishte një socialist islamik, që i dëboi hebrenjtë nga vendi, futi ligjin e Sheriatit, dhe financoi një fushatë vrastare terroriste kundër “imperialistëve” perëndimorë dhe zionistëve izraelitë. Çudirërisht, të gjithë djemtë e tij jetuan pjesën më të madhe të kohës në Perëndim.

                                                                   Muamar Gadafi

Njëri ishte narkoman, dhe u përfsho në disa lidhje biseksuale. Tjetri harxhoi 2 milionë dollarë në muaj gjatë lidhjes me një modele të “Playboy”. Djali i tij i tretë, brodhi nëpër tërë Evropën, dhe në një rast u ndoq nga policia nëpër Paris. Në fund u arretua në Zvicër për një sulm fizik.

Libia u hakmor duke arrestuar disa biznesmenë të pafajshëm zviceranë, dhe dëbuar kompanitë zvicerane nga vendi. Djali i katërt, Saif Al-Islam u diplomua në Shkollën e Ekonomisë në Londër.

Ai pretendonte me mburrje se ishte mik i kryeministrit britanik Toni Bler, ndërsa e dashura izraelite, këmbëngulte vazhdimisht se ai nuk do të shërbente në regjimin e babait të tij “derisa Libia të kishte një kushtetutë më demokratike dhe transparente”.

Por kur regjimi i babait të tij u kërcënua nga një rebelim, Saif u rikthye në shtëpi dhe u zotua: “Do të luftojmë deri në burrin, gruan e fundit, dhe deri në plumbin e fundit!”. Gjykata Ndërkombëtare për Krime Lufte, lëshoi në fillim një urdhër-arresti për të. Por sot ai është një njeri i lirë, dhe kandidon për t’u bërë president i vendit.

Që fëmija i një diktatori të jetë një disident i hapur i rregjimit të babait, kjo është diçka  jashtëzakonisht e rrallë. Zoja Çaisheku, dhe Saif Al-Islam Gadafi, janë konsideruar si disa nga kritikët më të zëshëm të regjimeve të drejtuara nga etërit i tyre. Një vajzë e Fidel Kastros, u bë disidente, dhe ajo e takoi babanë e saj vetëm disa herë.

Por shembulli më interesant, është ai një nipi të Ajatollah Khomeiniit, që bëri shumë komente kritike ndaj Iranit, duke mbështetur jo vetëm demokracinë, por edhe pushtimin amerikan të Irakut. Siç mund të parashikohej, që nga botimi i librit të tij, ai ndodhet në arrest shtëpie.

Të gjitha këto na çojnë te Stalini.

                                                                  Josif Stalini

Fëmijët e tij të parë jolegjitimë, ishin “produkte” të përdhunimit të një vajze adoleshente në fund të viteve 1930. Ai i mohoi ata, bashkë Jakovin, fëmijën e parë dhe të vetëm nga gruaja e tij e parë. Për të kënaqur të atin, Jakov iu bashkua Ushtrisë së Kuqe. Por ai u kap menjëherë nga gjermanët, që shpresonin ta shkëmbenin me një gjeneral nazist.

Stalini e mohoi Jakovin dhe e la të vdiste në një kamp të burgosurish. Dy fëmijët e fundit të Stalinit, ishin nga gruaja e tij e fundit. Svetlana nuk mbante mend të ishte përqafuar ndonjëherë nga nëna e saj. Ajo u rrit nga një dado, ashtu si i vëllai Vasili. Ajo pati një marrëdhënie të vështirë edhe me të atin. Pas vdekjes së Stalinit, ajo u arratis në SHBA, dhe në një libër autobiografik denoncoi krimet e babait të saj dhe komunizmit ndaj popullit sovjetik./ Përshtatur nga CNA.al