6 muaj më parë

A mund të jemi tifozë me Serbinë, sepse ndiqnim TV jugosllav?

A mund të jemi tifozë me Serbinë, sepse ndiqnim TV jugosllav?

Ndoshta do të duhej të hapej me kohë e si shkak shërbeu pikërisht Botërori i Futbollit, pasi s’kishte si ndodhte ndryshe. Një debat që fokusoi debatet teknike e mediatike për ecurinë e “Russia 2018”, zuri për pak çaste ditët e fundit rreshtat e gazetave, portaleve e padyshim, mediave sociale.

Komentatori i mirënjohur Kosta Grillo, i cili këtë radhë duket se ka preferuar të rrijë larg profesionit të tij primar (pasi siç pohon edhe vetë ka kohë që merret me menaxhimin e futbollistëve), komentimit të ndeshjeve në TVSH, ka shkaktuar tërmet të vërtetë me deklaratën e tij për mbështetjen publike që do i bënte Ekipit Kombëtar të Serbisë në këtë Botëror, duke e arsyetuar pak a shumë me faktin se në mungesë të Shqipërisë, apo Holandës, ekipeve të tij të zemrës, ka preferuar t’a ndajë dëshirën për ngadhënjim në eventin më madhor futbollistik me Kombëtaren serbe.

Në televizionin “Ora News”, ai ka deklaruar: “Jam tifoz i Serbisë, normalisht edhe me Holandën, por mungon Holanda dhe jam një tifoz i Serbisë, pasi është edhe nga Ballkani, jemi të lidhur me futbollin serb, unë jam tifoz i Zvezdës që kur kam qenë fëmijë”, tha Kosta Grillo.

Të lundrosh përtej hipokrizisë

Deri këtu besoj se ka pasur të drejtë e duke thyer një tabu, ka lundruar përtej hipokrizisë. Kështu duket në pamje të parë, por nëse i hyn më thellë, duket se ai çedon jo pak kur merr përsipër të flasë në emër të një kontingjenti të madh shqiptarësh, të cilët në shtrirje gjeografike dhe kohore përbëjnë ndoshta edhe palcën kurrizore të popullsisë së sotme jo pak aktive në vend.

Pohon se ka marrë qindra mesazhe e mbështetje për deklaratën e bërë nga bashkëmoshatarë, miq, kolegë, të njohur e të panjohur. Edhe kjo s’ka asgjë për t’u kritikuar e nuk kemi pse të mos i besojmë.

Nga ana tjetër po nga mediat zyrtare e rrjetet sociale mësojmë për qindra reagime, të cilat variojnë që nga sharjet banale, deri në thirrjet për bojkot, “përjashtim nga puna” e gjoba ndaj tij e drejtuesve të TVSH, e cila theksohet se mbahet nga taksat e shqiptarëve.

Por, le ta zgjerojmë pakëz diskutimin, i cili dukshëm dhe pashmangshmërisht i kalon tashmë kufijtë e sportit për t’u ndërthurur me politikën, historinë e më gjerë, pavarësisht se duhet thënë se Grillo në reagimet e mëpasshme këmbëngul ta mbajë këmbën vetëm në sport e të mos e përziejë në të politikën.
TV ish-jugosllav, monopol i studios së Beogradit

Fakti që televizioni ish-jugosllav, në atë kohë (vitet ‘70 dhe ‘80) i alternuar, ku siç merret me mend stafeta kryesohej nga Beogradi për të kaluar më pas në studiot e tjera si Zagrebi, Sarajeva, Podgorica, Shkupi e deri te Ljubjana (ku studios së Prishtinës rrallëherë i vinte radha të shfaqej), shihej gjerësisht në territore të mëdha të Shqipërisë moniste, para së gjithash në veri, në Ultësirën Perëndimore e në Shqipërinë e Mesme, nuk përbën një argument përcaktues për të besuar se Serbia paskësh pasur kaq shumë tifozë “të fshehtë” në këtë vend.

Argument nuk përbën as fakti se shqiptarët ndiqnin falë TV, edhe filma, koncerte e njihnin grupe të rock-ut ish-jugosllav, e as këngëtarë të folkut, apo etnomuzikës sllave, e po ashtu as edhe fakti se po ashtu njihnin mirë edhe një sërë ekipesh, lojtarësh, e madje edhe komentatorësh sportivë, të cilëve ua dëgjonin zërin ku nën zë e ku fare hapur, duke diskutuar për ta ku mundnin e si mundnin, ndërsa sfidonin në një farë mënyre edhe vetë sistemin, që duket se kishte kohë që kish nisur ta toleronte diçka të tillë.

RAI dhe TV ish-jugosllav, kë ndiqnin më shumë shqiptarët?

Duhet pohuar se shqiptarët ndërkaq kishin “luksin” të ndiqnin përnatë edhe TV italiane, duke u ndjerë më të afërt me atë kulturë, pasi në shumicë i kuptonin edhe gjuhën. Në këtë mënyrë, TV ish-jugosllav sikurse edhe RAI e një grusht kanalesh private italiane përbënte për ta një alternativë sigurisht për t’iu larguar monotonisë që ofronte RTSH, por me veçantitë që kishte, merret me mend se ndjekja e TV jugosllave përjetohej ndryshe, edhe pse në raport më të vogël në krahasim me ato italiane.

Ndjekja e tij ishte më e kritikuar, më e anatemuar, sikurse standardet e tij ishin më të dobëta, programet e tij më të vrazhda e gjuha e tij më e pakuptueshme se ajo e TV italiane. Ndërkaq, ky fenomen nuk ishte vetëm shqiptar, pasi TV ish-jugosllav shihej gjerësisht edhe në vendet e tjera kufitare me ish-Jugosllavinë, federatën rebele që shihej me të drejtë si një urë lidhëse mes Lindjes e Perëndimit e që ishte shpesh model për bullgarin e rumunin e thjeshtë, sikurse për shqiptarin e madje edhe për hungarezin.

Por kush më shumë e kush më pak e dinim se të tjerë idhuj e kombe kishim në kokë kur flisnim për futboll, nga ata që gjendeshin përtej këtyre kufijve, e që ishin vërtetë ëndrra e çdo shqiptari të kohës.

“Lugina e shurdhëve” dhe rastet e ngjashme në ish-Lindje

Në vitin 2004, ndërsa merrja pjesë në një seminar për digjitalizimin në Lajpcig të Gjermanisë, pranë TV MDR, pjesë e TV-së të ish-RDGJ-së, tashmë të transformuar tërësisht, paneli i diskutantëve më pyeti se si ia bënim ne në Shqipëri në atë kohë të izolimit total në këtë aspekt?

Iu përgjigja se paradokset ishin prezente edhe në atë sistem e se jo çdo gjë duhej parë bardhezi. Edhe pse të izoluar, kultura botërore perëndimore e madje edhe ajo e kombinuar, kalonte tek ne sidomos në vitet ‘80 përmes TV italiane e jugosllave përnatë në shtëpitë tona. U hodhën menjëherë kolegë nga ish-Lindja, duke sjellë raste se si polakët për shembull, ndiqnin TV çekosllovak, se si bullgarët ndiqnin TV jugosllav, se si rumunët përveç atij jugosllav përpiqeshin të ndiqnin atë sovjetik etj.

Më emblematike ishin rastet që lidheshin me përpjekjet e gjermano-lindorëve për të ndjekur valët e TV-ve gjermano-perëndimore. Madje, më ka mbetur në mend rasti sarkastik i zonave në të cilat nuk arrihej të kapej sinjali i TV-ve të RFGJ-së, e që në zhargonin popullor të ish-gjermano-lindorëve njiheshin si “Lugina e shurdhëve” (ose e atyre që s’ia kanë fare haberin, origj. gjermanisht: Tal der Ahnungslosen).

Ndikim jo deri në ekstremitet

Për t’iu rikthyer edhe një herë diskutimit bazë, mund të pohoj se edhe vetë, megjithëse i takoj një brezi që ka arritur të kapë vetëm fundin e atij sistemi, e ndiqja TV ish-jugosllav e, edhe pse kohë e largët, më kujtohen fare mirë sidomos komentet plot patos të komentatorëve sportivë jugosllavë, por edhe plot grupe e këngëtarë. Mund të them se kam akoma një farë nostalgjie për një kohë kur diçka qe e shihje sonte, diskutohej nesër nga të gjithë, sepse s’kishte alternativa e as internet.

Së bashku me TV italian ishin padyshim një zgjidhje oportune për të krijuar një kontakt me botën. Por kisha vënë re se jo të gjithë e ndiqnin. Kisha madje edhe preferencat e mia për ekipet sllave të futbollit, por edhe të basketbollit, por e vërteta është se kurrë s’më kishte shkuar ndërmend të brohorisja për Serbinë, sepse s’e ndjeva kurrë diçka të tillë në thellësi të zemrës. Edhe pse pa mundësi për t’i parë nga afër, e dija se Gjermania, Anglia, Italia, Franca apo SHBA, përtej futbollit ishin ëndrra jonë.

Kështu që më duket i tepruar dhe i pabazuar pretendimi i Kosta Grillos se në Shqipëri paskësh shumë tifozë të Serbisë. Fakti se kanë mundur të ndjekin në një kohë apo stacion të jetës së tyre, i cili realisht lë gjurmë në gjithë jetën e tyre, TV ish-jugosllav nuk do të thotë automatikisht se duhej të ishe e të jesh për më tepër sot, tifoz i Serbisë.

Për kë bënin tifo kosovarët?

Por si qëndronte puna me vëllezërit tanë shqiptarë që jetonin në Kosovë e ish-Jugosllavi? Duhet pohuar se në kushtet që jetonin e alternativat që u ofroheshin nën okupim, nëse kishin rast, maksimumi preferonin ta deklaronin veten si jugosllavë dhe jo si serbë, e paradoksalisht, edhe pse nuk kishin mundësinë të duartrokisnin për Kosovën për shembull, fakti se jetonin në një federatë, u ofronte mundësinë që të paktën të gjenin ngushëllim tek Jugosllavia e jo tek Serbia, duke preferuar një lloj “shitje” apo “shkrirje” të identitetit të vet nacional, por pa preferuar në asnjë çast të nxirrnin në pah atë serb, ndërsa as që diskutohet se thellë në zemër e në shpirt ata ishin ndjekës e tifozë të zjarrtë të Shqipërisë.

Fakti se shumë syresh duhej të punonin në profesione të ndryshme duke bashkëpunuar edhe me serbët, nuk i bën ata aspak fajtorë (përveç atyre që me zell ndihmuan mbajtjen më këmbë të okupimit e më ndërgjegje ushqyen pushtetin sllav në Kosovë duke ekzekutuar, burgosur e torturuar vëllezërit e tyre të gjakut). Të tillë gjeje në art, sport, por edhe në shumë fusha të tjera, sepse pa pasur kyçje në sistem, ishte e pamendueshme se mund të bëje diçka e të mbijetojë në ato kushte.

Kjo, por edhe dialektika e zhvillimit, shpjegon edhe prezencën e legjendës së ndjerë (të sapondarë në mënyrë të parakohshme nga kjo jetë), Fadil Vokrri për disa vite në radhët e Partizanit të Beogradit, por edhe suksese të tjera, të cilat padyshim që përbëjnë arritje individuale tepër të çmuara të shqiptarëve në ish-Jugosllavi, e si të tilla duhen nderuar gjithmonë. Suksesi i të ndjerit Vokrri në çuarjen përpara të objektivave madhore të Federatës së Futbollit të Kosovës, por edhe respekti që treguan drejtuesit e Partizanit të Beogradit për t’a përkujtuar atë dhe kontributet që ai dha për atë klub, e vërtetojnë edhe më shumë këtë tezë.

Nga ana tjetër na duhet të llogarisim edhe një pjesë vërtetë të emancipuar të ish-shtetit jugosllav e atij serb, e cila ka kontribuar që të mbahen në këmbë disa lidhje sa njerëzore aq edhe të domosdoshme mes dy popujve, të cilët historikisht e kanë parë njëri-tjetrin me mosbesim.

Futbollistët serbë, të vetmit që mbrojtën ata shqiptarë

E në këtë kontekst, shtrohet pyetja: a kishim ne ç’të mësonim nga ish-Jugosllavia në përgjithësi? Nga arti, sporti, kultura e saj? – Pa drojë e dyshim sigurisht se duhet të themi ‘Po’! Pa drojë e mëdyshje mund të themi se shqiptarët si mendjehapur e përthithës kulturash, kanë përfituar nga kjo aty ku kanë mundur, se e kundërta tek serbët nuk ka ndodhur, e unë besoj se ata kanë humbur diçka në këtë mes.

Duke lënë pas historinë e hershme e politikën, le të afrohemi në kohë e të shohim nën dritën e zhvillimeve të fundit? A mundet të pohosh aq lehtësisht se je tifoz me Serbinë pas atyre që ndodhën vetëm katër vite më parë e kur e ke parë me sytë e tu dhunën e çmendurinë e pamotivuar të një turme frenetike ndaj një formacioni sportiv, që u la tërësisht i pambrojtur në mes të Beogradit, duke thyer kësisoj jo vetëm rregullat bazë të UEFA-s, por edhe ato më minimale të mbrojtjes së mysafirëve sipas një tradite të gjithëpranuar ndërkombëtare?

Sigurisht se në të gjithë këtë mesele, paradoksalisht dhe fatmirësisht ata pak shembuj që erdhën në mbrojtje të lojtarëve tanë në atë zallamahi të pashoqe beogradase, ishin pikërisht nga vetë lojtarët e Kombëtares serbe, nga kolegët e tyre, të cilët nuk ngurruan të ngrinin duart e t’i mbronin e më pas të shprehin publikisht edhe keqardhjen, pavarësisht “Provokacija”-s që nxiti fluturimi i dronit mbi kokat e nxehta të sivëllezërve të tyre, duke dhënë një shembull pra se sporti qenkësh shumë më lart se politika e turmat frenetike ultranacionaliste.

Nga ana tjetër, duke pasur parasysh se të qenurit tifoz i një ekipi apo ndjekës i një klubi futbolli është para së gjithash edhe një akt mirëbesimi, një afeksion që shkon përtej rezultateve thjesht sportive, e bën pohimin e Grillos për Crvena Zvezdën, disi anakronik e për shumë syresh provokues, duke pasur parasysh se çfarë përfaqëson ajo për shqiptarët.

Sidoqoftë, duke mos preferuar të bëj as avokatin e as kritikun e Kosta Grillos, mendoj se pohimet e tij përkojnë me ato që theksova në hyrje të këtij reagimi, duke i parë më shumë si një vlerë të shtuar, sepse bënë të mundur të flitet për një temë, e cila shumëkënd mund ta bënte të skuqej, e në këtë kontekst, si njeri profesionist që lundron pa frikë e drojë përtej hipokrizisë, akti i tij është për t’u përshëndetur.

(Marrë nga Gazeta Shqiptare)