A ka shpresë pas 20 vjetësh? Të pagjeturit, temë e dialogut në Bruksel

3 muaj më parë

A ka shpresë pas 20 vjetësh? Të pagjeturit, temë e dialogut në Bruksel

Edi Dylhasi nga Gjakova, prej vitesh kërkon të dijë për fatin e burrit, Myrtezasë dhe vjehrrit të saj Skënderit, që rezultojnë në listën e personave të pagjetur që nga lufta e fundit në Kosovë.

Dylhasi thotë se ka protestuar me dhjetëra herë duke kërkuar që të dijë se çfarë ka ndodhur me familjarët e saj.

Që nga 27 marsi i vitit 1999 ajo nuk ka asnjë informacion për burrin Myrtezanë dhe vjehrrin, Skënderin.

Asaj i janë rritur shpresat pasi kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti e ka përfshirë çështjen e personave të pagjetur në objektivat për marrëveshjen finale mes Kosovës dhe Serbisë.

“Ai (v.j. kryeministri Hoti) po premton, por edhe ne shpresojmë që diçka do të bëjnë në bisedime me Serbinë pasi që po premtojnë. Pa u gjetur këta (të pagjeturit) nuk ka qetësi, nuk ka liri për neve familjarët e as për fëmijët tanë. Do të thotë nuk jemi të qetë. Ta dimë se ku i kanë varret, këtë e duam ne sepse tashmë e dimë se ata nuk janë të gjallë”, thotë Dylhasi për Radion Evropa e Lirë.

Dylhasi ka humbur shpresën se mund t’i gjejë familjarët pa pasur vullnet politik, së pari në Kosovë, e pastaj në Serbi.

“Për të zhdukurit kanë bërë shumë pak, shumë pak, shumë pak. Do të thotë ne që 21 vjet jemi duke i kërkuar ata”, tha Dylhasi.

Edhe Dragan Steviq nga Badovci i Prishtinës, e kërkon vëllaun Sllavishën që nga gushti i vitit 1999.

Ai herën e fundit është parë në qendrën e Prishtinës te hotel Grandi. Steviq thotë në një deklaratë për Radion Evropa e Lirë që gjatë gjithë kësaj kohe, ai është munduar të gjejë informata për zbardhjen e fatit të vëllaut, por tash ai thotë se të gjitha shpresat iu kanë shuar.

“Nuk besoj që mund të zbardhet fati i tij sepse kanë kaluar 20 vjet dhe ende asgjë nuk dihet për të. Nuk kam shpresa”, tha Steviq.

Çështja e të pagjeturve, temë e takimeve në Bruksel

Që nga ardhja në pushtet, kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, ka deklaruar se zgjidhja e fatit të personave të pagjetur nga lufta e viteve 98-99 është çështje kyçe në procesin e normalizimit të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.

Këtë fakt kryeministri e potencoi edhe në atë që u quajt “Samiti i Parisit” e që u zhvillua përmes videolidhjes më 10 korrik.

Në praninë e presidentit francez Emanuel Macron, kancelares gjermane Angela Merkel, përfaqësuesit të Lartë të BE-së Josep Borrell, përfaqësuesit të posaçëm të BE-së për bisedimet Mirosllav Lajçak si dhe presidentit të Serbisë Aleksandar Vuçiq, kryeministri Avdullah Hoti tha se personat e zhdukur si dhe drejtësia për viktimat e dhunës, janë shqetësimet kryesore në procesin e normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë.

Sipas Hotit, marrëveshja finale duhet të përfshijë njohjen reciproke, adresimin e çështjes të së pagjeturve, dëmet e luftës, kthimin e dokumenteve kadastrale, rregullimin e marrëdhënieve ekonomike në mes të dy vendeve si dhe lidhjet infrastrukturore.

“Këto janë tema që do të jenë pjesë e procesit të dialogut nga e enjtja e tutje”, tha Hoti.

Konsultat para takimit në Bruksel

Para nisjes për në Bruksel, ku të enjten pritet që të zhvillohet takimi mes delegacionit të Kosovës dhe atij të Serbisë, kryeministri Avdullah Hoti takoi udhëheqësit e institucioneve që punojnë në gjetjen e personave të zhdukur.

Këtë takim, kryeministri Hoti e shfrytëzoi për të marrë informacione para takimit me delegacionin serb.

Kryesuesi i Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur, Prenk Gjetaj që ishte prezent në këtë takim, thotë se aiishte takim koordinues e në të cilin është kërkuar që çështja e të pagjeturve të diskutohet në Bruksel.

Ndërkohë sa i takon vet punës së komisionit që ai drejton, Gjetaj thotë se aktiviteti është kufizuar jashtëzakonisht shumë për shkak të situatës rreth pandemisë së shkaktuar nga koronavirusi i ri.

“Normalisht kjo i ka penguar të gjitha aktivitetet pak a shumë, por ne nuk jemi ndalë. Kemi zhvilluar aktivitete, kemi bërë vizita. Kemi mbledhë rrethanat dhe shënimet, kështu që tani e shohim çka mund të punohet në këto rrethana”, thotë Gjetaj për Radion Evropa e Lirë.

Bisedimet, shansi i fundit për të vënë drejtësi

Drejtuesi i Fondit për të Drejtën Humnitare në Kosovë, Bekim Blakaj, e sheh nisjen e procesit të bisedimeve si shansin më të mirë për të përfshirë temën e të pagjeturve në marrëveshjen finale Kosovë-Serbi.

Kjo sipas Blakajt do të intensifikonte punën në mes të institucioneve të të dyja vendeve për të gjurmuar dhe hetuar rastet që ende nuk janë zgjidhur.

“Është e qartë se është e pamundur që të zbardhet fati i personave të zhdukur para një marrëveshjeje finale. Pra, krejt çka mbetet është që kjo temë të diskutohet në dialog dhe në marrëveshjen finale palët të zotohen që do të angazhohen maksimalisht në zbardhjen e fatit të personave të zhdukur”, thotë Blakaj.

Në rast se në marrëveshjen finale mes Kosovës dhe Serbisë futet çështja e personave të zhdukur, sipas Blakajt, kjo do të hapte rrugë për krijimin e një organi që do të monitoronte sesa po zbatohen marrëveshjet si dhe për çështjen e zbardhjes së fatit të personave të pagjetur.

Shoqatat e familjarëve të të pagjeturve: Mungon vullneti politik

Drejtuesi i shoqatës, “Zëri i prindërve”, Bajram Qerkini thotë se çdo qeveri u ka dhënë premtime se do ta diskutojnë çështjen e personave të pagjetur në Bruksel, mirëpo sipas tij, një gjë e tillë nuk ka ndodhur asnjëherë.

“E kanë detyrë morale dhe politike që të thonë se (nuk ka marrëveshje) pa u zbardhur fati i të pagjeturve, familjarët e të cilëve qajnë natë e ditë dhe është plagë e pashërueshme”, thotë Qerkini.

As Sillvana Marinkoviq nga Shoqata e Familjarëve të të Kidnapuarve dhe të Pagjeturve në Kosovë, nuk ka shpresa që çështja e të pagjeturve mund të zbardhet.

“Asnjëra palë nuk e tregon vullnetin politik që të zgjidhë këtë çështje”, tha Marinkoviq për Radion Evropa e Lirë, duke shtuar se në 20 vitet e fundit janë ndërmarrë shumë iniciativa të cilat janë treguar të pasuksesshme për zbardhjen e fatit të të pagjeturve.

Muajve të fundit ka pasur më pak gërmime në lokacione të dyshuara për varreza masive në Kosovë dhe Serbi.

Gjatë vitit 2019, institucionet përkatëse kanë kryer gërmime në 26 lokacione brenda territorit të Kosovës.

Aty dyshohej se kishte varreza masive.

Gërmime u bënë edhe në Kampusin universitar në Prishtinë, të cilat përfunduan pa ndonjë gjetje.

Pas përfundimit të luftës në Kosovë në vitin 1999 rezultuan rreth 6 mijë e 500 persona të zhdukur.

Që nga ajo kohë u kryen zhvarrime në varreza masive në Kosovë dhe Serbi dhe deri me tani janë gjetur rreth 70 për qind e të zhdukurve.

Sipas autoriteteve në Kosovë ende vazhdojnë të rezultojnë të pagjetur rreth 1,600 persona, kryesisht shqiptarë./REL