6 muaj më parë

A është koha që….

A është koha që….

(Apo: kur t’na akuzoni se veç po kritikojmë e nuk po ofrojmë rrugëdalje…)

Nga Blerim Gashani

Ka qenë një kohë kur Kanuni ka qenë kodi, ligji i vetëm me të cilin e kanë rregulluar jetën shqiptarët.
– Është koha që t’ia lëmë këtë kod mesjetar historisë dhe ta shporrim nga jeta e përditshme.

Ka qenë një kohë kur shqiptari më këmbëngulësi donte jetën e bariut (që do të thoshte të nomadit) dhe nuk kishte durimin të ngulej në një vend e të merrej me bujqësi.
– Është koha që të ndryshojmë, të ngulitemi dhe jo vetëm të kemi durim deri sa të rritet bima që e kemi mbjellur, por edhe me këmbëngulësi të kujdesemi për të duke e ujitur, jo vetëm me ujë.

Ka qenë një kohë kur arma ka qenë jo vetëm ekzistencë, zakon dhe ilaç për frikën, por edhe gjymtyrë e trupit të shqiptarit.
– Është koha të jemi të guximshëm edhe pa armë.

Ka qenë një kohë kur gjithqysh shqiptari është dashur të jetë nën sundimin e drejtëpërdrejtë të një perandorie.
– Është koha të bëhemi palë (sado e vogël, sado inferiore, sado e brishtë, e ligshtë…por palë) dhe aleat me atë perandori, qëllimi i së cilës nuk është të na fshijë nga toka jonë.

Ka qenë një kohë kur prijësit fetarë na kanë treguar – duke na kërcënuar – se ku do të shkojmë në botën e përtejme.
– Është koha që ata të shikojnë edhe vetë se ku do të shkojnë, pastaj bashkë me ne ta mësojmë se çka është feja.

Ka qenë një kohë kur shkolla ka qenë edhe qytetërim, edhe emancipim, edhe zgjim kombëtar, edhe përparim, edhe rebelim.
– Është koha t’ia kthejmë shkollës edukimin dhe arsimimin.

Ka qenë një kohë kur Universiteti i Prishtinës ka qenë vatër e zgjimit kombëtar dhe motor i lëvizjeve politike.
– Është koha t’ia kthejmë këtij universiteti shkencën, nga e cila e kemi zhveshur qëmoti.

Ka qenë një kohë kur ka qenë krenari të kemi Akademinë e Shkencave dhe Arteve të Kosovës.
– Është koha që duhet ta zhdukim këtë ngrehinë qesharake dhe të turpshme, që nuk e di më as qëllimin e ekzistencës së vet.

Ka qenë një kohë, kur shqiptari ka ndërtuar mekanizma për mbijetesë.
– Është koha të ndërtojmë mekanizma për jetesë, për jetesë me dinjitet.

Ka qenë një kohë kur shqiptari ka krijuar lëvizje/parti politike, vizioni i së cilave ka qenë largimi i uniformës serbe nga Kosova.
– Është koha të krijojmë lëvizje/parti politike, vizioni i së cilave është të largojnë inferioritetin tonë dhe ta bëjnë Kosovën palë me shtetet tjera.

Ka qenë një kohë kur shkrimtari ka qenë edhe iluminues, edhe emancipues, edhe prijës, edhe burrështetas, edhe historian, edhe shkencëtar.
– Është koha, kur duhet t’ia kthejmë atij letërsinë, vetëm letërsinë.

Ka qenë një kohë kur historiani ka qenë një njeri i “Çështjes”.
– Është koha që ai t’i kthehet zanatit të vet, që nuk është më shumë se shkencë.

Ka qenë një kohë kur patriot ka qenë dikush që nuk ka punuar asnjë ditë punë të veten, por krejt kohën e ka kaluar duke folur për veprime që do t’i merr (në të ardhmen), për të mirën e atdheut.
– Është koha kur patriotizmi më i madh është puna e secilit, djersa e secilit, sakrifica e secilit në profesionin e vet – sepse (dhe këtë e kemi zbuluar së voni), nuk po ekzistoka një profesion i tillë si “njeri i Çështjes”!

Dhe, në fund…

Ka qenë një kohë kur Kosovën e kemi gënjyer me fjalë se sa e duam.
– Është koha t’i tregojmë sa e duam jo me pallavra por se e duam tamam, me punë, me dashuri ndaj saj e popullit të saj, me pagesa të taksave e obligimeve, me kundêrshtim dhe luftim të së keqes,.me respektim të Kushtetutës dhe ligjeve të Kosovës.

Ka ardhur një kohë shumë e thjeshtë, shumë e lehtë, shumë e hapur.

Veç një e keqe është këtu:

Koha e gënjeshtrave ka kaluar!

Mirë se vini në kohën moderne!

AktivPress