A do të ballafaqohet Serbia me sanksione për shkak të armatimit nga Rusia?

6 ditë më parë

A do të ballafaqohet Serbia me sanksione për shkak të armatimit nga Rusia?

Ministri i Jashtëm i Serbisë, Ivica Daçiq ka thënë se nuk do të ketë sanksione amerikane për Serbinë. Ai këto komente i bëri pas takimit me zyrtarin e Departamentit të Shtetit, i ngarkuar për sanksione ndaj vendeve që bashkëpunojnë me Rusinë, Thomas Zarzecki.

Sipas tij, Serbia nuk ka asgjë për të fshehur dhe se Zarzecki ishte i kënaqur me ato që i ka dëgjuar nga zyrtarët serbë.

Ai shtoi se mesazhi kryesor që ai i përcolli zyrtarit amerikan ishte se Serbia dëshiron një marrëdhënie të hapur dhe nuk ka ndërmend të hyjë në konflikt me SHBA-në.

Thomas Zarzecki, është drejtor i Task Forcës 231 në Byronë për Siguri Ndërkombëtare dhe Kontroll të Armëve në Departamentin amerikan të Shtetit.

Në uebfaqen e Departamentit të Shtetit thuhet se Thomas Zarzecki drejton “Task Forcën 231”, e cila kontrollon zbatimin e nenit 231 të Aktit të Sanksioneve duke zhvilluar dhe zbatuar sanksione dhe iniciativave politike kundër atyre që angazhohen në transaksione të rëndësishme me sektorët e mbrojtjes dhe inteligjencës ruse.

Me fjalë të tjera, Zarzecki drejton një grup pune të ngarkuar me vendosjen e sanksioneve për sektorin e sigurisë ruse, si dhe për të gjitha kompanitë, individët dhe shtetet që bashkëpunojnë me sektorin ushtarak dhe inteligjencën ruse.

Vizitën e zyrtarit të lartë amerikan në Beograd e kishte konfirmuar për Radion Evropa e Lirë, ambasada amerikane në Beograd.

“Zarzecki do të takohet me zyrtarë qeveritarë për të zhvilluar konsultime lidhur me ligjin ‘Kundërvënia ndaj rivalëve të Shteteve të Bashkuara përmes Aktit të Sanksioneve (CAATSA)’.Zarzecki tashmë ka vizituar mbi 60 vende”, thuhej në përgjigjen e ambasadës së SHBA-së.

Vizita e zyrtarit amerikan pason një stërvitje të përbashkët për mbrojtjen ajrore mes Serbisë dhe Rusisë më 25 tetor.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, kishte deklaruar se është i impresionuar nga ajo që mund të bëjnë sistemet ruse tokë-ajër.

Sistemi S-400 do të kthehet në Rusi pas gjashtë ditësh stërvitje, ndërsa Vuçiq tha se qeveria e tij e ka blerë sistemin Pantsir-S.

Por, duke komentuar paralajmërimet për një vendosje të mundshme të sanksioneve amerikane ndaj Serbisë, presidenti, Aleksandar Vuçiq ka thënë se qytetarët “nuk duhet të brengosen” në lidhje me këto pretendime duke shtuar se autoritetet serbe “po ndjekin një politikë të përgjegjshme”.

“Kur SHBA-ja merr vendime për këto sanksione – dhe nuk vendos lehtë për ato – i imponojnë ndaj një kompanie ose një individ, jo ndaj njerëzve. Nuk janë sanksionet që do të ju godasin juve”, tha ai në një intervistë për televizionin Pink.

Ai shprehu besim se autoritetet serbe “do të vazhdojnë të zgjidhin mosmarrëveshjet e mundshme me partnerët amerikanë”, siç kanë bërë deri më tani.

Kosova e sheh kërcënim armatosjen e Serbisë

Nga ana tjetër, përfaqësuesit e institucioneve të Kosovës tërheqin vërejtjen se pajisja e Serbisë me armatim nga Rusia paraqet kërcënim të drejtpërdrejtë për Kosovën, paqen e brishtë në rajon, si dhe perspektivën euro-atlantike.

Autoritetet në Kosovë, kanë kërkuar nga Beogradi që t’u jap fund veprimeve të tilla që mund të paraqesin tensionim të gjendjes së sigurisë në rajon.

Kryeministri në detyrë, Ramush Haradinaj, ka thënë se armatosja e vazhdueshme e Serbisë me pajisje ushtarake nga Rusia dhe Kina (pancirë, sisteme të mbrojtjes ajrore, dronë), është kërcënim i drejtpërdrejtë për Kosovën dhe paqen e brishtë në rajon.

Edhe Burim Ramadani, zëvendësministër në detyrë i Mbrojtjes, tha për Radion Evropa e Lirë, se veprimet e Serbisë dhe armatimi i ushtrisë paraqesin kërcenim për gjithë Ballkanin duke përfshi edhe Kosovën. Ai ka deklaruar po ashtu se veprimet e Serbisë, veç tjerash janë edhe në kundërshtim me parimet e NATO-s.

“Besoj që është tepër e dukshme që Serbia po çon mesazhe dhe sinjale kërcënuese për tërë Ballkanin dhe po çon sinjale të një vasaliteti ndaj Rusisë dhe tash me modelin S-400 të pancirëve, ka kaluar edhe në dronët e Kinës dhe kjo është një vasalitet ndaj Rusisë, kundërshtim ndaj NATO-s dhe kërcënim ndaj Ballkanit”, tha Ramadani.

Ndërkaq, njohësi i çështjeve të sigurisë, ish-deputeti i Kuvendit të Kosovës, Nuredin Ibishi, tha për Radion Evropa e Lirë se Serbia jo vetëm muajt e fundit, por në vazhdimësi është pajisur me armatim të rëndë dhe kryesisht është furnizuar nga Rusia.

Ibishi konsideron se veprimet e tilla të Serbisë janë një kërcënim në veçanti për Kosovën, pasi që siç thotë ai, Serbia ka pretendime territoriale ndaj Kosovës.

“Krejt këto e bëjnë situatën edhe më tensionuese. Unë mendoj se Kosova në këtë situatë, sektori i sigurisë apo autoritetet e Kosovës, ndihen në vazhdimësi të kërcënuara me vazhdimin e armatimit, por edhe kërcënimet që realisht janë serioze nga deklaratat e autoriteteve serbe, siç janë ato të presidentit serb edhe autoriteteve tjera të strukturës së sigurisë, siç janë ato të ministrit të Mbrojtës dhe atij të Jashtëm “, tha Ibishi.

Njohësja e çështjeve të sigurisë, Besa Kabashi – Ramaj, thotë për Radion Evropa e Lirë, se nëse Serbia ka synim NATO-n, modernizimi me pajisje ushtarake për ushtrinë duhet të bëhet konform standardeve të NATO-s dhe jo ndryshe.

“Nëse drejtimi i tyre është kah perëndimi, atëherë duhet të jetë e qartë edhe në praktikë se diçka e tillë po ndodhë. Nëse pretendon të jesh pjesë e NATO-s ose të kesh bashkëpunim me NATO-n, nuk mundësh që njëkohësisht si standard për armatim ta kesh Rusinë. Tani problemet e tilla kanë shumë impakt edhe në pjesën politike sepse tregoi se Serbia ende nuk është mirë e harmonizuar apo e unifikuar se ku përkon me lindje a me perëndimin”, tha Kabashi- Ramaj.

Ajo thotë se Serbia, jo vetëm në kohët e fundit, por edhe më herët, disa herë, ka vepruar kështu duke synuar arritjen e qëllimeve të caktuara në mes lindjes dhe perëndimit.

“Sa është kërcënim për rajonin? – Mendoj se kjo mundet më qenë ndonjë lojë politike, po nuk mendoj se ka ndonjë kërcenim real për rajonin përderisa prezenca e NATO-s është shumë reale në rajon edhe në Kosovë”, thekson ajo.

“Qytetarët e Kosovës mendoj se duhet ta kuptojnë se përderisa prezenca e NATO-s është shumë aktive në vend nuk ka arsye për shqetësim”, tha Kabashi- Ramaj.

Sidoqoftë, njohësit e çështjeve të sigurisë thonë po ashtu se institucionet e Kosovës, gjithmonë duhet të jenë të përgatitura dhe të kenë strategji të sigurisë të cilat reflektojnë kërcënimet e rreziqeve si të brendshme ashtu edhe të jashtme.

Megjithatë, sipas tyre, për çështjet të cilat dalin jashtë kufjve të Kosovës, duhet të punohet ngushtë me partnerët strategjikë, në këtë rast ata nënkuptojnë NATO-n si dhe shtetet që e mbështetin pavarësinë e Kosovës me SHBA-në në krye./REL