9 Maji, dita e ndarjes së botës dhe fati i mbrapshtë i shqiptarëve

4 vite më parë

9 Maji, dita e ndarjes së botës dhe fati i mbrapshtë i shqiptarëve

9 Maji është dita për të përkujtuar në heshtje viktimat e një lufte që mori jetët e miliona njerëzve e bëri të vuajnë miliona të tjerë. Është dita për të përkujtuar sakrificat dhe stërmundimet e miliona të tjerëve që luftuan për t’i dhënë fund një tmerri pa fund.

Por për studiuesin dhe gazetarin Armand Plaka, 9 maji i vitit 1945, shënon edhe ditën që na përkujton edhe hapin e parë për vënien në jetë “de facto” të ndarjes së re të botës, e cila siç thotë ai, me shumë të padrejtë, do i dhuronte sidomos shqiptarëve, një fat të mbrapshtë dhe një natë të gjatë vuajtjesh e privacionesh, të cilën ata s’e merituan kurrë.

“Interesant është fakti se sferat e influencës në Europën Lindore ishin vulosur mes Stalinit dhe Çurçillit “de facto” qysh në Konferencën e Moskës, në tetor 1944, në mënyrë informale, duke anashkaluar pikëpamjet e Francës e sidomos ato të SHBA. Në një copëz letër që Çurçilli ia dorëzoi Stalinit, ishin përcaktuar me përqindje të sakta ndarjet që ata mendonin”, shkruan Plaka në llogarin e tij në Facebook.

Stalini, siç shpjegon ai, ia ktheu mbrapsht homologut të tij atë letër me shenjat përkatëse miratuese për çdo propozim, duke bërë kësisoj që fati i shumë popujve tashmë të ishte i paracaktuar, pavarësisht asaj çka propagandonin aleatët në sipërfaqe, ku rëndom flitej për “vetvendosje e zgjedhje demokratike”.

“Për Shqipërinë aty nuk flitej thuajse fare dhe ajo konsiderohej si pjesë e fatit të Jugosllavisë, e cila në atë letër ishte përcaktuar si e ndarë 50% me 50%, sipas interesave të ‘të mëdhenjve’”, shkruan Plaka.

Më poshtë do të gjeni një karikaturë të kohës, e cila sipas studiuesit Armand Plaka, revokon vendimet e Konferencës së Jaltës, pak muaj para se të mundej zyrtarisht nazizmi. Në diçiturë shënohet:

Tre të mëdhenjtë, 1945. ‘Si po ndjeheni sot?’ – Karikaturë angleze e vitit 1945, nga Sir Bernard Partridge, e cila i shfaq tre liderët e kohës, Churchill, Roosevelt dhe Stalin, duke u kujdesur për një botë të sëmurë, e cila po “rilindte” sipas konceptit të të mëdhenjve, publikuar menjëherë pas Konferencës së Jaltës në shkurt 1945.

Gjithashtu në një tjetër karikaturë, nxjirret në pah oreksi i Stalinit për ta vënë në jetë sa më parë planin e Jaltës e gëlltitur kështu mbarë hapësirën e Europës Lindore, ku shihet qartë edhe Shqipëria. /AktivPress