600 vende të lira pune për përfitues të skemës sociale

4 vite më parë

600 vende të lira pune për përfitues të skemës sociale

Ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale Arban Abrashi iu bën thirrje bizneseve dhe përfituesëve të skemës sociale të vizitojnë qendrat e punësimit dhe të shohin mundësitë për vende të lira të punës.

Në një intervistë për programin e mëngjesit në Radio Kosovë, ministri Abrashi tha se do të realizohet programi “Dil prej sociali”, përmes të cilit parashihet që të punësohen personat që janë në gjendje të punojnë dhe që tash për tash marrin asistencë sociale.

“Ata që janë të aftë për punë, bashkë me komunitetin e biznesin, do t’iu ofrojmë vende pune, me paga mesatare modeste. Ideja themelore e kësaj skeme është që kur një person heq dorë nga asistenca sociale, ne i ofrojmë subvencion në pagë deri në 150 euro me kusht që edhe biznesi të ofrojë të paktën të njëjtën pagë, apo më shumë dhe ai person fiton një pagë deri në 400 euro. Kështu ai person largohet nga asistenca sociale. Gjithmonë me kusht që siguron një kontratë pune për të paktën një vit, me mundësi të vazhdimit. Bizneset kanë ofruar diku 600 apo 700 vende të lira të punës dhe ne kemi filluar programin me një buxhet prej 500 personave, por që mund të rritet”, tha Abrashi.

Por, shumica e përfituesve të skemës sociale nuk dëshirojnë të përfshihen në marrëdhënie pune, thotë ministri Abrashi, duke e konsideruar këtë si sfidë të veçantë, derisa duhet të zbatojë programin “Dil prej sociali”.

“Kjo është pjesa më sfiduese, jemi në proces, sepse ka pasur hezitim nga kjo kategori që të dalin nga asistenca sociale dhe të integrohen në jetë më normale. Në janar të këtij viti, përkundër buxhetit që kemi pasur për 500 persona dhe 600 vende të lira pune në biznese të ndryshme në tërë Kosovën, me ftesa të vazhdueshme, vizita nëpër familje, ne kemi arritur që vetëm 157 persona t’i bindim që të dalin nga sociali dhe të fillojnë një vend pune”.

Përfshirja në marrëdhënie pune, do të ishte mundësi e mirë për vetë ata dhe fëmijet e tyre që të jenë të barabartë me të tjerët në shoqëri. Kjo do të ishte rruga afatgjatë e luftimit të varfërisë dhe uljes së papunësisë, tha ministri Abrashi. Por, ai dyshon se një pjesë e përfituesve të skemës sociale punon në informalitet dhe synon të marrin edhe pagën ku punojnë dhe asistencën sociale.

Pra fjala është për ato familje, që kanë një anëtar, i cili mund të punojë. Janë dy kategori që përfitojnë asistencë sociale. Në të parën është kur tërë familja është e varur dhe nuk mund të punojë askush dhe kategoria e dytë kur njëri prej bashkëshortëve është i aftë për punë.

Ministri Abrashi fton edhe njëherë të gjithë ata, qoftë nga komuniteti i biznesit, qoftë nga ata që përfitojnë nga asistenca sociale të vizitojnë zyret e punës dhe të shohin nëse janë të interesuar për këtë mundësi.

Në Kosovë, asistencë sociale përfitojnë 25 mijë familje. Rreth 40 % prej tyre kanë një person të aftë për punë, të cilët do të përfshihen në programin “Dil prej sociali”.

Një mbështetje të veçantë këtë vit, MPMS e ka edhe për personat e riatdhesuar, të cilët ndërmjetësohen për punësim, por edhe për strehim.