60 parashutistë nga Ballkani “pushtojnë” Gjirokastrën

3 vite më parë

60 parashutistë nga Ballkani “pushtojnë” Gjirokastrën

Rreth 60 sportistë nga vende të ndryshme të Ballkanit do të zbarkojnë këtë fundjavë në Gjirokastër për eventin Gjiro Open Air, i cili nuk është vetëm një aktivitet sportiv.

Për tre ditë pilotët do të organizojnë fluturime duke u nisur nga mali i Çajupit përballë Gjirokastrës, ndërsa janë parashikuar edhe guida për t’u njohur me disa nga vendet historike të zonës, si në Parkun Arkeologjik Antigone, Kisha e Saraqinishtit, Manastiri i Spilles, Teatri i Adrianopulit.

Në një status në Facebook ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro shkruan se kjo do të jetë një javë plot adrenalinë për Gjirokastrën.

Kjo jave mban shenjen #GjiroOpenAir
Sport ne Ajer !
Kulture ne Toke!
Mos e humbni!
Vendi ku fluturohet me Sport e Kulture quhet #Gjirokaster’, shkruan Kumbaro.

Gjiro Open Air do të kulmojë me Gjirokastra by Night, me date 25 mars,  një “street party” që do të mbahet në Qafën e Pazarit, me pjesemarrjen e Dj. Cool.

Në janar të këtij viti, Ministria e Kulturës dhe Federata Shqiptare e Aeronautikës nënshkruan marrëveshjen për   Promovimin e Trashëgimisë Kulturore Kombëtare gjatë zhvillimit të Kampionatit të 9-të Botëror të Fluturimeve të Lira në “Paragliding në Disiplinën në Preçizion ”, i cili do të zhvillohet në qytetin e Vlorës në datat 05-14 maj 2017. Pjesë e kësaj marrëveshje,  në dispozicion të  Gjiro Open Air  është dhe  itinerari jugor malor, Tepelenë-Përmet-Gjirokastër, ku gjithë paketa e muzeale dhe e site-ve të trashëgimisë do të jetë në funksionim të plotë për t’i mirëpritur sportistët pjesëmarrës në këtë aktivitet./Dita.al