59.8% e popullsisë në moshë pune, joaktive

3 vite më parë

59.8% e popullsisë në moshë pune, joaktive

Rreth 60 % e qytetarëve me moshë pune nuk janë ekonomikisht aktivë, që do të thotë se ata nuk janë të punësuar, nuk kanë qenë aktivë në kërkim të punësimit ose nuk janë të gatshëm të fillojnë punë brenda dy javësh.

Këtë të dhënë e ka nxjerr Agjencia e Statistikave të Kosovës, si institucion përgjegjëse për prodhimin e statistikave zyrtare në Republikën e Kosovës.

Sipas ASK-së, dy të tretat e popullsisë së Kosovës, janë të moshës së punës.

Mosha e tyre sillet prej 15 deri në 62 vjeç.  Popullsia me moshë pune pritet të rritet shpejt gjatë dekadës së ardhshme pasi Kosova, është ndër vendet me popullsinë më të re në Evropë.

Nga 40.2% e popullsisë, që është ekonomikisht aktive, 27.5% apo 131,604 persona, dalin se janë të  papunë. Kjo do të thotë se 72.5%, apo 347,186 e personave ekonomikisht aktivë janë të punësuar, duke krijuar një raport punësimi ndaj popullsisë prej 29.8%.

Të dhënat e fundit, flasin se 59.8% e popullsisë në moshë pune, është joaktive.

Ekzistojnë dallime të mëdha gjinore në tërë tregun e punës.

Pothuaj një në pesë femra në moshë pune janë aktive në tregun e  punës, krahasuar me rreth tri te pestat e meshkujve në moshë pune.

Në mesin e personave në fuqinë punëtore, papunësia është më e lartë për femrat  se sa për meshkujt (32.3% krahasuar me 26.0 %).

Shkalla e punësimit në mesin e femrave në moshë pune është vetëm 13.1 %, krahasuar me 44.9% për meshkujt.

Kjo shkallë shumë e ulët e papunësisë te femrat, sipas ASK-së, rrjedh nga kombinimi i pjesëmarrjes shumë të ulët në fuqinë punëtore dhe papunësisë së lartë.

Femrat, rezultojnë të jenë të punësuara kryesisht në sektorët e arsimit, tregtisë dhe të shëndetësisë, ndërsa meshkujt ishin kryesisht të punësuar në sektorët e ndërtimtarisë prodhimit dhe tregtisë.

Papunësia tek të rinjtë, alarmohet nga ASK-ja se është shumë e lartë. Sipas këtij institucioni në tremujorin e tretë të vitit 2016, të rinjtë në Kosovë kishin gjasa dy herë më shumë të jenë të papunë krahasuar me të rriturit. Në mesin e personave të moshës 15-24 vjeçare dhe në fuqinë punëtore, 52.7 % ishin të papunë. Papunësia është më e lartë te femrat e reja, 69.3 %, se te të rinjtë meshkuj që është 46.2%.

Për sa i përket llojit të kontratës, që kishin të punësuarit e intervistuar, shumica apo 70.5% e tyre  kishin një kontratë individuale, ndërsa pjesa tjetër punonin pa kontratë.

Nga personat, që kishin kontratë pune, vetëm 30.1% kishin një kontratë të përhershme për punën e tyre kryesore, ndërsa 69.9% kishin kontrata të përkohshme. /AktivPress