Komisioni i ekspertëve për kufirin, së shpejti në terren

3 vite më parë

Komisioni i ekspertëve për kufirin, së shpejti në terren

Komisionit të ekspertëve për matjen e territorit të Republikës së Kosovës i janë dorëzuar të gjitha materialet rreth përcaktimit të vijës kufitare mw Malin e Zi.

Ky Komisioni sot, ka organizuar takimin e radhës ku specialistët e këtyre organizatave dhe agjencioneve prezantuan të dhënat gjeoinformative, hartat e kadastrit të tokave dhe të komunave administrative, planet zhvillimore e mjedisore, hartat topografike, skicat, të dhënat statistikore, baza ligjore, faktet shkencore, etj.

“​Nuk është vonë që të gjithë specialistët e gjeoshkencave, ekspertët e shkencave të afërme dhe qytetarët, me njohuritë e tyre, të kontribuojnë në ndriçimin e së vërtetës për madhësinë territoriale të Kosovës dhe problemet dhe dilemat eventuale”, thuhet në komunikatën e lëshuar nga Zyra e Kryeministrit.

Paralajmërohet se Komisioni do të bëjë sistemimin e të gjitha rezultateve për të hartuar raportin final të problemit dhe pastaj të gjitha materialet dhe gjetjet do t’i ofrohen opinionit për diskutim publik.

“Do të caktohen ditët kur opinioni profesional dhe opinioni i gjerë mund të kenë qasje në materialet dhe gjetjet përkatëse. Komisioni mirëpret çdo dëshmi, vërejtje dhe sugjerim të argumentuar”, thuhet në njoftim.

Gjatë ditëve në vijim, sipas nevojës, Komisioni do të organizoj edhe vizita në terren për verifikimin e pikave me të cilat vërtetohet mbulueshmëria me dokumentacion administrativ e hartografik./AktivPress