50 vitet e një mjeshtri të lapsit

4 vite më parë

50 vitet e një mjeshtri të lapsit

Medi Belortaja është njeriu që fjalës i jep pamje dhe e kthen atë në vepër arti. Ai është një prej karikaturistëve më të talentuar shqiptarë, me emër dhe çmime edhe në arenën ndërkombëtare.

Në datën 8 mars kishte 50-vjetorin e lindjes. Në këtë datë mjeshtri ka marrë me qindra urime nga miq e të afërm, me urimet e tyre bashkohemi edhe ne, ndaj vendosëm të bëjmë një bisedë me të.

Ai ka lindur në Korçë dhe në 1991 ka përfunduar Institutin e Lartë të Arteve, pikturë, dega e grafikës. Ka pikturuar në vaj dhe mjaft portrete apo peizazhe. Krahas karikaturave.

“Se si ikën 50 vjet nuk e mora vesh. Deri në 24-25 mbaj mend ca gjëra pastaj… koha fluturoi. Kur shoh veten në pasqyrë tani, habitem, kush është ky xhaje kështu i thinjur, se po nuk e pashë veten në pasqyrë më duket përherë shpirti si 25”- na pohon Mediu si i zënë në faj për vitet që kanë ikur.

Kur kalon një moshë caktuar është normale që të kthesh kokën pas dhe të kujtosh veten në faza të ndryshme të jetës.

Dashurinë për të bukurën dhe syrin e mprehtë tregon se e ka trashëguar nga nëna, ky gen artistik deri në ato momente i pa kultivuar do të ngrinte krye te Mediu. Megjithëse për të shtysa dhe ngacmimi kryesor i është dhënë nga i vëllai i cili ka vizatuar dhe vizaton ende, për qejf, por mjaft cilësisht.

Belortaja nuk e ndan dot veten nga karikatura. Ai tashmë është një me artin që lëvron, ndaj na tregon me pasion punën e parë të botuar në shtypin e kohës.

“Kam qenë nxënës në Liceun e Korçës, kur kam botuar në revistën Hosteni të asaj kohe karikaturën e parë ka qenë viti 1985, mesa mbaj mend. U habita dhe u gëzova shumë kur e pashë të botuar, dhe e prekja me gisht fletën e revistës ku qe botuar, mund të them se ishte lumturi”- tregon mjeshtri për emocionin e parë  që i ka falur puna.

Por duket se Belortaja e kishte kuptuar që puna që ai kishte filluar të bënte kërkonte formim të plot.  Ai duhet të njihte gjithçka, madje duhet të nuhaste përtej asaj që shihte.

“Pastaj fillova të mendoj ide të tjera, por kuptohet që mosha adoleshente e kishte të vështirë të përpunonte “arsenalin” e qëndrimeve politike të asaj kohe, me pjekuritë e ideve që nuk vinin dhe aq lirshëm. Mënyra e të menduarit fillon e kthehet në përvojë vetëm kur vazhdon të mendosh në një linjë të caktuar. Miksohet aty, vizatimi, filozofia, sociologjia, politika, humori, ironia, sarkazma, pse jo dhe romantika apo fryma e brendshme e artistit”- shpjegon artisti për këtë moment në jetën e tij.

Çmimi që i dha shpresë…

Talenti i tij ra në sy nga drejtuesit e revistës Hosteni  në vitet ’80, të cilët e afruan duke i dhënë mundësi që punime e tij të ishin pjesë e botimeve të saj. Ai e konsideron veten me fat për atë kohë. “Unë isha nga “të privilegjuarit” sepse ishte viti 1985, kur unë fillova të bëj karikatura. Kam qenë 16 vjeç. Dhe sikur mos më kishte promovuar dhe nxitur kryeredaktori fisnik, liberal dhe shumë i mençur i revistës Hosteni, Niko Nikolla, unë nuk e di me çfarë do merresha sot. I jam shumë mirënjohës Nikos, sado që më thoshte shpesh duke psherëtirë lehtë kur pinim kafe: “Eh more djalë, arti është…vuajtje…” Në atë kohë nuk e kuptoja dhe qeshja, por më pas u kuptua që kishte të drejtë. Niko Nikolla, ndjesë pastë ishte një burrë shumë i mençur, o nuhaste talentet me intuitë, i promovonte dhe i nxiste me këmbëngulje të krijonin. Ishte njeri shumë i veçantë dhe kishte kurajo”.

Megjithëse i ri, ai kishte kapacitetin për të bërë disa punë të rëndësishme në atë kohë.

“Pastaj vazhduan radhazi karikaturat në atë kohë të botohen brenda revistës Hosteni dhe në kopertinat e saj deri nga viti ‘90-91. Fillova të marr pjesë bashkë me kolegët e tjerë në ekspozita ndërkombëtare, si në Montreal të Kanadasë që nga viti 1988 në Stamboll, Gabrovo, etj, dhe mund të jenë me qindra punimet e çuara dhe të ekspozuara në këto aktivitete. Në vitin 1992 mora Çmim Ari në Tokio në Konkursin Ndërkombëtar të organizuar nga gazeta më e madhe japoneze Yomiuri Shimbun, ishte çmimi i parë dhe i shoqëruar dhe me 5.000 dollar. Nuk ka dyshim që më motivoi shumë ky çmim dhe fillova ta ndjej veten mirë”- tregon Belortaja për Dita-n.

Ishte pikërisht ky çmim që e bëri të kuptonte që po vinte disa gur themeli të rëndësishëm në karrierën tij e mbi të gjitha, i dha emër, pasi siç tregon vetëm mjeshtri “ çmimi në Japoni qe i pari dhe shumë i rëndësishëm për mua, kishin konkurruar rreth 12 mijë punime. Ashtu ishte koha këtu, sapo kishin filluar pjesëmarrjet  në aktivitet ndërkombëtare artistët shqiptarë. Ishte pas hapjes…”

Pas ’90-ës

Megjithëse puna e një karikaturisti mund të keqkuptohet, ai nuk është ndjerë ndonjëherë keq gjatë karrierës së tij. Madje ka punuar me guxim… “Kur je i ri, nuk i mendon  shumë rreziqet politike, të duken stinët e bukura, dielli që shkëlqen njësoj, vajzat e bukura që ecin rrugëve, je entuziast, je disi rebel, “nuk je djegur nga qumështi” që të mendosh se tani e tutje “duhet t’i frysh edhe kosit”, d.m.th. në atë kohën e diktaturës nuk e peshonim mirë rrezikun politik. Për fat shpëtuam pa ndonjë pasojë…Pas viteve ’90 jam ndjerë i lirë, mund të them se kam botuar pothuajse  në të gjitha gazetat për gati një çerek shekulli. Mbase duhet të jenë me mijëra. Më tepër ka botuar Shekulli me Adi Thanon”.

Por ai nuk ka botuar vetëm në Shqipëri.

“Kam botuar dhe ne shtypin e huaj. Ne revista satirike zvicerane, gjermane, me tepër me qindra karikatura ka botuar që nga viti 2000 e këtej revista  e përjavshme franceze e Le Monde,  Courrier International. Çmimi i fundit që kam marrë në ekspozita dhe konkurse ndërkombëtare ka qenë në Ukrainë, Çmim i Dytë në Maidan International Cartoon Contest.

Lidhur me ato ngjarjet në Ukrainë

Për një punë e cila kërkon sqimë dhe mendje të mprihet e mbi të gjitha pak e vlerësuar, vlen ta bëjmë pyetjen,  a ja ka vlejtur e gjitha….?  Belortaja e ka një përgjigje:

“Pasioni është kryesori në jetë. Është pasioni ai që të jep sukses në çdo fushë. Natyrisht  që kultivohet me kalimin e kohës dhe përvojën e duhur. Çdo njeri që lind e ka një talent dhe aftësi në një fushë të caktuar. Shpesh ndodh që ne fëmijët apo të rinjtë i orientojmë artificialisht në fusha dhe profesione që ata nuk i ndjejnë, nuk i duan, por që ne të rriturit mendojmë se do jenë të frytshme financiarisht për ta. Kështu nuk duhet. Pasionet duhen lënë të lira të ndjekin rrugët e duhura. Sa për atë që thua se: “A ja ka vlejtur apo jo të merrem me karikaturën?”, them se e kam dashuruar këtë gjini, e kam patur pasion shumë. Dhe nuk e kam peshuar në balancën e fitimit financiar karikaturën. Defekt mbase i imi.

Kur dashuron shumë një zanat apo art, dhe jepesh pas tij, mund të ndodhë që dhe gratë që mund të lidhesh, të fillojnë e të bëhen xheloze për dashurinë me “tjetrën” d.m.th. me karikaturën(shaka). Të mendosh që njerëz dhe të rinj të pasionuar pas sporteve të ndryshme kanë dhënë dhe jetën, kurse ne të tjerët kemi shpëtuar me ca fitime të munguara. Paraja është gjithçka dhe asgjë. Dashuria dhe pasuria e brendshme e njeriut, meditimi dhe ndjenjat e ndryshme janë ato që mund të të bëjnë të lumtur. Sado që fjala “lumturi” nuk e di pse nuk më ka pëlqyer kurrë, më duket rëndomtë, e përkëdhelur…Ndodh që trishtimi dhe thellësia e mendimit është më i ëmbël se lumturia e jetës sipërfaqësore dhe përjetimeve të kënaqësive që i merr me vete dita që ikën”./ Entela Resuli- DITA