2 milionë kg miell kanë hyrë këtë muaj në Kosovë, 180 milionë euro janë shpenzuar për importe

4 muaj më parë

2 milionë kg miell kanë hyrë këtë muaj në Kosovë, 180 milionë euro janë shpenzuar për importe

Miell, mish, djath, qumësht, vaj, vezë e mjaltë, janë vetëm disa prej produkteve që janë importuar me të madhe nga kosovarët gjatë këtyre 20 ditëve të marsit. Gjatë kësaj periudhe, në vend kanë hyrë rreth 2 milionë kg miell. Për të importuar gjithë këtë sasi të miellit, janë shpenzuar rreth 600 mijë euro. Express u sjell listën e produkteve ushqimore që janë importuar gjatë këtij muaji.

Tash e sa ditë, qytetarë nga i gjithë vendi po presin me orë të tëra para fabrikave për t’u furnizuar me miell. Shumicën prej tyre tashmë i ka kapluar paniku se do të mbesin pa bukë, pas situatës së krijuar nga konfirmimi i 22 rasteve me koronavirus në vend.

Por, furnizimi me miell duket se nuk do të jetë problem për kosovarët. Së paku kështu duket nëse shikohen statistikat e importit për këtë muaj.

Në bazë të statistikave nga Dogana, shihet se vetëm gjatë këtyre 20 ditëve në vend kanë hyrë rreth 2 milionë kilogram miell. Për këtë sasi të miellit, ata kanë shpenzuar rreth 600 mijë euro.

Sipas Doganës, mielli është importuar nga Shqipëria, Italia, Gjermania, Hungaria, Kroacia, Bullgaria, Austria, Greqia dhe Maqedonia e Veriut.

Përveç me miell, kosovarët janë furnizuar edhe me produkte të tjera ushqimore.

Mielli, mishi, djathi, qumështi, vaji, vezët e mjalta, janë vetëm disa prej produkteve që janë importuar me të madhe nga kosovarët gjatë këtyre 20 ditëve. Në importin e këtyre ditëve, janë shpenzuar mbi 5 milionë euro edhe për barna.

Sipas të dhënave të Doganës, i gjithë importi gjatë këtij muaji, sillet rreth 180 milionë euro.

Por, përveç produkteve ushqimore e medikamenteve, dikush ka blerë edhe gjedhe të gjalla. Mbi 1 milionë e 500 mijë euro, është shuma e parave që kanë shpenzuar kosovarët për t’i blerë 2 mijë e 223 gjedhe.

Më poshtë, mund të gjeni listën e të gjitha produkteve që janë importuar që nga 1 marsi deri më 20 mars.

Ndryshe, para pak minutash, Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik ka njoftuar se është konfirmuar rasti i 22’të me koronavirus në Kosovë.

Sipas IKSHP’së, i infektuari është një 67-vjeçar nga fshati Llashkadrenoc i Komunës së Malishevës.

“Sot me 20.03.2020 në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare në IKSHPK me metodën RT-PCR, janë testuar 5 mostra të dyshimta për virusin SARS-CoV-2 dhe një prej tyre është pozitive. Rasti është rast kontakti nga Komuna e Malishevës, fshati Llashkadrenoc i gjinisë mashkullore të moshës 67 vjeçare”, thuhet në komunikate.

Instituti ka bërë me dije se që nga 8 shkurti e deri sot, në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare në IKSHPK me metodën RT-PCR, janë testuar gjithsej 345 mostra të dyshimta në virusin SARS-CoV-2 dhe prej tyre, gjithsej njëzet e dy raste kanë rezultuar pozitive.

Rastet e paraqitura janë nga qytetet si Klina, Malisheva, Podujeva, Vitia që janë izoluar.