15 vjet pas meçit historik, Luan Krasniqi vlerëson se ishte fitues moral

3 javë më parë

15 vjet pas meçit historik, Luan Krasniqi vlerëson se ishte fitues moral

Arena e stërmbushur me shikues. Atmosferë impozante në një moment të rëndësishëm për boksin shqiptar dhe atë gjerman. Një duel madhështor, por që megjithatë nuk përfundoi mirë për tifozët gjermanë e shqiptarë.

15 vjet më parë, saktësisht më 28 shtator të vitit 2005, Luan Krasniqi boksoi në Gjermani për titull të botës në kategorinë e rëndë të boksit profesionist. Përballë e kishte kampionin, amerikanin Lamon Brewster. Brewster mbrojti titullin në versionin WBO, por me shumë, shumë, vështirësi. Krasniqi ishte para me pikë, sipas vlerësimit të gjyqtarëve, në momentin kur u ndërpre meçi. Brewster rrëzoi një herë Krasniqin në raundin e tetë e një herë në raundin e nëntë. Dhe pak para fundit të raundit të nëntë, gjyqtari në ring e ndërpreu meçin.

Ndonëse humbi, ai duel mbetet prej pikave kulmore në karrierën e Luan Krasniqit, për shumë njerëz boksierit më të madh shqiptar deri më tani.

Pas karrierës impresive në amatorizëm, Krasniqi, që ka boksuar për Gjermaninë, arriti nivelin superior edhe në profesionizëm. E mbajti titullin e Evropës dhe e sfidoi denjësisht titullin e botës. Karrierën e përfundoi pas disfatës nga Alexander Dimitrenko, më 15 nëntor të vitit 2008. Bilanci i tij ishte 30 fitore (14 me ndërprerje), katër humbje dhe një barazim.

Krasniqi e zhvilloi karrierën kur kategoria e rëndë ishte e hapur dhe me plot boksierë të famshëm. Më pas, për thuajse një dekadë, humbi shkëlqimin, ndërsa ktheu me Anthony Joshua, Tyson Furyn, Deontay Wilderin e të tjerët.

“Atë meç e kujtoj si një ngjarje tejet të rëndësishme të karrierës sime sportive, por që i përket të kaluarës. Ishte çast që më entuziazmoi mua dhe sportdashësit gjithandej. Për këtë duel raportuan mediat e shumta dhe dueli, sipas vlerësimeve, ishte i veçantë. Si i tillë hyri në analet e historisë së boksit gjerman”, ka thënë Luan Krasniqi në një intervistë për KOHËN.

Meçi ishte organizuar në ditëlindjen e 100-të të legjendës së boksit gjerman, Max Schmeling. Krasniqi synonte që të bëhej i pari boksier i Gjermanisë që fitonte titull të botës pas Schemlingut, që vdiq më 2 shkurt të vitit 2005.

“Ishte duel që entuziazmoi. Me kënaqësi e kujtoj jo vetëm këtë meç, por të gjithë, sepse secili në vete ngërthente momentet sportive që më krijonin mundësinë për avancim, për përvoja të reja dhe natyrisht emocione që më shoqëronin nga njëri duel në tjetrin”, ka shtuar Krasniqi.

Me gjithë humbjen në ring, Krasniqi vlerëson se ishte fitues në duelin me Brewsterin e fuqishëm.

“Jo, jo, nuk mund të them se meçi nuk shkoi mirë. Unë isha tejet i përgatitur, i motivuar dhe në formën më të mirë. Isha në epërsi deri në çastin e fundit, por ja, ndodhi ajo që ndodhi. Megjithatë unë isha fitues moral. E në ring, njërit duhet t’i ngrihet dora lart për t’ia dhënë brezin e kampionit. Ky nuk isha unë, por unë isha ai që opinioni dhe mediat e cilësuan fitues moral të asaj mbrëmjeje impozante”, thotë Krasniqi.