14 ndërmarrje janë hetuar për kurdisje të çmimeve të derivateve të naftës

3 javë më parë

14 ndërmarrje janë hetuar për kurdisje të çmimeve të derivateve të naftës

Autoriteti i Konkurrencës në Kosovë, për dhjetë muaj ka nisur një hetim për tregun e derivateve të naftës pas lajmeve dhe reagimeve se ndërmarrjet që operojnë në treg nuk kanë reflektuar në krahasim me çmimet e berzës.

Kryetari i AKK-së Valon Prestreshi tha se janë hetuar 14 ndërmarrje.

“I kemi hetuar 14 ndërmarrje. Kemi konstatuar për muajin janar dhe tetor ndërmarrjet kanë pas një përqindje të fitimit 9 % dhe nëntor e dhjetor një rritje 60% dhe 124 % në dhjetor, ndërsa për benzinë kanë pas mesatare të fitimit në 11 % dhe për nëntor 108% dhe 135 %. Këtë analizë, për vitin 2017 sepse kemi pas një lëvizje ku ka pas rënie drastike të çmimit në berza ndërkomberare dhe këto që i kemi hetuar e kanë shfrytëzuar”, tha ai, raporton KTV.

Prestreshi ka thënë se hetimi i AKK-së, që ka filluar në fillim të vitit 2019, është nxitur pasi që dyshohet se operatorët e shitjes me pakicë të këtyre derivateve nuk kishin reflektuar në mënyrë individuale gjatë caktimit të çmimeve gjatë muajve nëntor dhe dhjetor të vitit 2018, kur çmimi në tregun e Kosovës kishte mbetur i njëjti përkundër rënies së çmimit në berzën ndërkombëtare.

“Andaj, hetimi i AKK-së po zhvillohet për të parë nëse kemi të bëjmë me ndonjë veprim anti-konkurrues nga operatorët e tregut, ose më konkretisht, nëse ka pasur ndonjë abuzim me pozitën dominuese apo marrëveshje të ndaluar nga ligjet që e rregullojnë konkurrencën në Kosovë,” ka thënë Prestreshi.

Sipas tij, fillimisht, Autoriteti Kosovar i Konkurrencës ka zhvilluar një hetim preliminar, që nënkupton mbledhjen e të dhënave nga autoritetet përgjegjëse siç janë Doganat, Ministria e Tregtisë dhe Industrisë, ATK-ja si dhe intervistimin e operatorëve që operojnë në tregun e naftës në Kosovë. Kurse, më 15 shkurt të këtij viti, AKK ka nisur procedurën hetimore ndaj këtyre ndërmarrjeve për të zbardhur të gjitha dyshimet lidhur me ndonjë shkelje eventuale, ka thënë ai.

Prestreshi ka thënë se bazuar në Njoftimin e Fakteve Paraprake të konstatuara gjatë procedurës hetimore, dyshohet se kompanitë që operojnë me shitjen me pakicë të derivateve nuk kanë reflektuar në mënyrë individuale për çmimin e shitjes dhe fitimit bruto për muajt nëntor dhe dhjetor të vitit 2018.

“Kjo do të thotë që kompanitë që bëjnë shitjen me pakicë të naftës dyshohet se kanë pasur fitim prej rreth 9 % gjatë muajve janar-tetor 2018, kurse fitimi në muajin nëntor ka qenë në mesatare prej 60%. Në dhjetor, fitimi mesatarisht ka qenë 124%,” ka thënë Prestreshi.

Sipas tij, të njëjtat dyshime ekzistojnë edhe sa i përket shitjes me pakicë të benzinës. Më konkretisht, derisa fitimi për periudhën janar-tetor 2018 ka qenë 12%, në nëntor ka qene 108% kurse në dhjetor 135%, ka thënë Prestreshi.

“Sidoqoftë, një vendim përfundimtar lidhur me këtë do të merret vetëm pasi që të përfundojnë afati për paraqitjen e komenteve nga të gjithë operatorët. Ky afat është një muaj”, ka thënë Prestreshi.​