13 vjet shtet| Asnjë përpjekje për ta bërë himnin me tekst

4 muaj më parë

13 vjet shtet| Asnjë përpjekje për ta bërë himnin me tekst

13 vjet shtet, dhe institucionet e Kosovës ende nuk kanë arritur t’i miratojnë një tekst himnit të Kosovës, pavarësisht se rrethanat politike nuk e mundësuan një gjë të tillë në vitet e para të ekzistimit si shtet i pavarur.

Mendi Mengjiqi është kompozitori i himnit shtetëror “Europa”, të cilit për shkak të rrethanave politike nuk ju miratua edhe teksti asokohe.

Kompozitori Mendi Mengjiqi është shprehur i mllefosur në drejtim të kësaj.

“Kjo çka është bërë nuk është aspak korrekte dhe do të qëndrojë larg kësaj teme”, deklaroi ai për arbresh.info, duke mos dashur të flas më gjatë rreth kësaj teme.

E në anën tjetër gazetari Agron Halitaj, thotë se “Pakoja e Ahtisarit”, nuk e ka përjashtuar asnjëherë që himni i Kosovës të përcillet me tekst, por që teksti të jetë shumë etnik.

Si gazetarë dëshmitarë i zhvillimeve në atë kohë, Agron Halitaj, kujton se si asokohe në Kryesinë e Kuvendit është zhvilluar debat i nxehtë rreth konkursit për himn, mirëpo me presionin e jashtëm te një pjese të faktorit diplomatik ndërkombëtar, në fund është përzgjedhur himni pa tekst.

“Në Propozimin gjithëpërfshirës për statusin e Kosovës vetëm është përcaktuar që simbolet e shtetit, ku hynë edhe himni, duhet të pasqyrojnë karakterin shumetnik. Askund nuk specifikohet nëse himni duhet të jetë me apo pa tekst. Kriteret për himnin janë vendosur në Kuvendin e Kosovës”, deklaroi Halitaj për arbresh.info.

Procedura për miratimin e tekstit të himnit shtetëror

Halitaj, himnin pa tekst e cilësoi si të mangët, që nuk i plotëson kushtet e një simboli tamam shtetëror.

“Se a është dashur të ketë tekst himni, padyshim që po. Si i tillë që është, himni është i mangët dhe nuk i plotëson kushtet e një simboli tamam shtetëror. Se a mund të ndryshohet dhe plotësohet himni? Padyshim se po! E gjitha varet, nëse së pari ekziston vullneti politik për të iniciuar ndryshimin e Ligjit për përdorimin e simboleve shtetërore, dhe së dyti, nëse teksti i përzgjedhur nga një konkurs i ri i shpallur nga Kuvendi, do të merrte pëlqimin e 2/3 të shumicës së deputetëve të Kuvendit dhe 2/3 të komuniteteve pakicë”, është shprehur Halitaj për arbresh.info.

Institucionet e pa interesuara për t’i bërë tekstin

Derisa në zyrën e u.d presidentes, Vjosa Osmani, nuk janë marrë “fare” me interesimin në lidhje me angazhimin për të patur edhe një tekst himni shtetëror, në Qeveri të paktën kanë dhënë një sqarim.

“Nuk mund të ju jap përgjigje në lidhje me këtë çështje pasi që nuk jam e informuar nëse është ndërmarr diçka në këtë drejtim”, deklaroi për arbresh.info zëdhënësja e Qeverisë, Antigona Baxhaku.

Propozimi me emrin “Europa”, pa tekstin që ekzistonte, u miratua më 11 qershor 2008 gjatë një seancë të veçantë të Kuvendit 120 anëtarësh si Himn shtetëror i Republikës së Kosovës, me 72 vota për, 15 kundër dhe 5 abstenime./S.D/arbresh.info/