1 vit taksë – importi nga Serbia ra nga 395 milionë euro në vit në 3.3 milionë

3 javë më parë

1 vit taksë – importi nga Serbia ra nga 395 milionë euro në vit në 3.3 milionë

Importi i produkteve serbe, një vit pas vendosjes së taksës, ka rënë për 99 për qind.

Derisa vitin e kaluar Serbia ka shitur produkte në Kosovë, në vlerë prej 395 milionë euro, një vit pas vendosjes së taksës prej 100 për qind, ajo ka eksportuar vetëm 3.3 milionë euro mallra, raporton KTV.

Sipas zëdhënësit të Doganës së Kosovës, Adriatik Stavileci, e njëjta rënie vlen edhe për produktet nga Bosnja e Hercegovina.

Taksa, e cila nga 10 sa ishte fillimisht është rritur në 100 për qind, sipas kryetarëve të odave ekonomike në Kosovë, përveç përfitimeve, ka pasur edhe efekte negative.

Këtu përmendet se për bizneset ka qenë sfidë përshtatja në treg pas vendosjes së taksës, por disa pasoja i kanë vuajtur edhe vetë konsumatorët.

Qeveria e udhëhequr nga Ramush Haradinaj, në javën e fundit të nëntorit të vitit 2018, produkteve nga Serbia dhe Bosnja ua rriti tarifën për 100 për qind, si kundërpërgjigje ndaj fushatës për shtetësinë dhe ekonominë e Kosovës nga këto dy vende.