Zyra e Kryeministrit blen tre “iPhone 7” dhe 11 ‘Samsung’

2 javë më parë

Zyra e Kryeministrit blen tre “iPhone 7” dhe 11 ‘Samsung’

Zyra e Kryeministrit Ramush Haradinaj ka blerë plot 14 telefona, smartphone të fjalës së fundit.

Tre iPhone 7 dhe 11 Samsung A5 të vitit 2017 janë blerjet që i ka bërë zyra e të parit të qeverisë.

Këto blerje luksoze i kanë kushtuar buxhetit të shtetit 6 mijë e 42 euro.

Blerjet kanë ndodhur një muaj pas zgjedhjes së Qeverisë Haradinaj në Kuvend.

KALLXO.com ka kontaktuar me Halil Matoshin, drejtorin për informim të Zyrës së Kryeministrit Ramush Haradinaj për të kuptuar se cilët persona nga kjo zyrë do të pajisen me telefona.

Ai ka kërkuar që pyetjet t’i shkojnë me e-mail, duke u zotuar se përgjigjet do t’i kthejë për 10 minuta, por KALLXO.com nuk ka marrë përgjigje deri në përfundim të orarit zyrtar të punës në Zyrën e Kryeministrit.

Kur kishte publikuar njoftimin për tenderin e telefonave, Zyra e Kryeministrit ishte sqaruar me fjalët se telefoni sot nuk është mall luksi, por mjet pune.

Anëtari i Kryesisë së AAK-së, Besnik Tahiri në debatpernime në qershor të këtij viti kishte thënë se është e tmerrshme blerja e telefonave luksozë nga zyrtarët e qeverisë. Madje ai kishte deklaruar se edhe prokuroria duhet të merret me këtë punë.

“Kjo puna e telefonave është hajgare. Është e tmerrshme me ble telefona 850 euro. Kur se ki ti tondin personal, qysh e blen ti 850 euro telefon. Kjo është punë e tmerrshme. Këtu ka punë edhe për prokurinë”, kishte thënë Tahiri në DebatPernime me Jeta Xharrën në zgjedhjet e qershorit.