“Unë jam Shqiptar” në Muzeun e Kosovës

2 muaj më parë

“Unë jam Shqiptar” në Muzeun e Kosovës

Në kuadër të Kalendarit të përbashkët kulturor ndërmjet Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit të Republikës së Kosovës dhe Ministrisë së Kulturës të Republikës së Shqipërisë, Muzeu i Kosovës ka hapur sot ekspozitën fotografike “Unë jam Shqiptar” në bashkëpunim me Muzeun Historik Kombëtar.

Ekspozita e cila për tematikë ka emigrimin e shqiptarëve, përfshin materiale fotografike mbi diasporën shqiptare ndër shekuj. Ekspozita fillon në mënyrë kronologjike me fotografinë e Heroit Kombëtar, Gjergj Kastriotit Skënderbeut, si përfaqësues i epokës më të lavdishme të shqiptarëve por dhe kohës kur filluan valët e para të emigrimit shqiptar.

Ekspozita përmban foto të arbëreshëve të parë me ngulimet e tyre në Italinë e Jugut, foto të arvanitasve dhe Rilindësve shqiptarë. Fotoja e emigrantit të parë në SHBA është moment i rëndësishëm në ekspozitë, duke vijuar më fotografi të shoqërive të para patriotike në Sofje, Bukuresht, Kajro, Stamboll e Vjenë. Pjesa tjetër e ekspozitës, por jo më pak e rëndësishme, prezantohet nëpërmjet fotografive nga personalitetet e suksesshme shqiptarë në vendet e emigrimit të tyre. 

Në hapje të ekspozitës ka marrë pjesë edhe ministri Gashi, i cili e vlerësoi ekspozitën si një sjellje para nesh të një kujtese të vuajtjes dhe historisë së dhimbshme që ka përjetuar populli shqiptar nëpër periudha të ndryshme të historisë. 

Ekspozita e Muzeut Historik Kombëtar të Republikës së Shqipërisë, që hapet sot në Muzeun e Kosovës trajton një përmbajtje kuptimplote dhe të njëjtë si për Kosovën ashtu edhe për Shqipërinë, siç është diaspora shqiptare. Ekspozita të tilla, janë dëshmi e një hapësirë shumë të madhe që ekziston për të thelluar bashkëpunimin dhe realizimin e aktiviteteve të përbashkëta në të ardhmen“, ka thënë ministri Gashi, duke shtuar se ky aktiviteti i cili po organizohet në kuadër të Kalendarit tregon se bashkëpunimi mes Republikës së Kosovës dhe të Shqipërisë në fushën e kulturës është në drejtimin e duhur dhe ky bashkëpunim do të avancohet edhe më tutje./AktivPress/