1 vit më parë

UÇK dhe Komandantët

UÇK dhe Komandantët

Debati PËR dhe KUNDËR ‘komandantëve’ të UÇK-së, me apo pa vetëdije, është ANTISHQIPTAR.

Po të mos ishin Komandantët (pra, po të mos ishte UÇK-ja), jo vetëm që s’do të flitej shqip sot në Parlament, por mbase as në medie e institucione të tjera (përveç në shtëpi, ku gjithashtu ka filluar të bjerret rëndë shqipja, si pasojë e efekteve të teknologjisë).

Po të mos ishin Komandantët (pra, po të mos ishte UÇK-ja), jo vetëm që s’do t’i kishim sot më shumë se dy shtete shqiptare në Ballkan, por do të na rrezikohej seriozisht edhe Shqipëria nukleus – siç e quante Ukshin Hoti shtetin amë.

Kushdo që guxon të hedhë baltë sot mbi UÇK-në (individë, medie apo parti politike), pa emërtuar zyrtarë a politikanë që kanë abuzuar me luftën, është në shërbim të armiqve dhe kundër procesit historik të konsolidimit shqiptar.

Nuk janë përgjegjës komandantët për kriminalizimin e disa komandantëve pas luftës, dhe komandantët që kanë hyrë në politikë janë POLITIKANË.

E politikanët (në gjithë botën, jo vetëm tek ne) mund të jenë: të ndershëm ose të korruptuar; vizionarë ose sharlatanë; burrështetas ose matrapazë…

Pse disa komandantë në Kosovë janë kojtaxhinj e lakmitarë dhe forca e ligjit ende s’ka mundur t’i bëjë zap, kjo s’do të thotë që mund dhe guxojmë t’i fusim të gjithë në një thes.

Pse Kosova sot lëngon nga paaftësia politike dhe politika kriminale, kjo s’do të thotë që mund të marrim guximin e ta fajësojmë UÇK-në. E nëse këtë e bëjmë me paramendim, atëherë domosdo jemi në shërbim të armiqve.

Pra, të bëjmë kujdes, t’i ndajmë gjërat, të bëjmë luftë politike por të mos prekim aty ku preket qenësia jonë.

Pa UÇK-në nuk ka Kosovë.

Ajo është vlera konstituive e Shtetit të Kosovës.

UÇK-ja është e Dëshmorëve dhe Heronjve, e gjakut të derdhur për Lirinë e Shqiptarëve.

Ndërtojeni SHTETIN i cili merret me hajnat dhe kriminelët, e lëreni rehat UÇK-në në Panteonin e Lirisë!