Turqia i përzë ambasadorin dhe konsullin e përgjithshëm të Izraelit

5 ditë më parë

Turqia i përzë ambasadorin dhe konsullin e përgjithshëm të Izraelit

Pas dëbimit të ambasadorit të Izraelit nga Turqia, ministria e jashtme e vendit ka kërkuar edhe largimin e konsullit të përgjithshëm izraelit në Stamboll. Vendimi vjen si reagim ndaj vrasjes së 60 palestinezëve në Rripin e Gazës nga ushtria izraelite, akt i  përshkruar nga presidenti turk Erdogan si genocid.

Ministria e jashtme e Turqisë i ka kërkuar konsullit të përgjithshëm të Izraelit në Stamboll, Yosef Levi Sfari, të largohet nga vendi “për një periudhë të pacaktuar kohore”. Shkak për këtë kërkesë është bërë vrasja e mbi 60 protestuesve palestinezë dhe plagosja e mijëra të tjerëve nga forcat izraelite në Rripin e Gazës.

Turqia ka qenë një ndër kritiket më të ashpra të përdorimit të dhunës nga ushtria e Izraelit kundër protestuesve palestinezë, të cilët demonstruan kundër hapjes së ambasadës së re të Shteteve të Bashkuara në Jeruzalem. Ceremonia e zhvilluar ditën e hënë ndjek vendimin e një viti më parë të presidentit Donald Trump, për njohjen e Jeruzalemit si kryeqytet i Izraelit.

Presidenti turk Recep Tayyip Erdogan e përshkroi gjakderdhjen e së hënës si një genocid, ndërsa e quajti Izraelin një shtet terrorist. Qeveria deklaroi tre ditë zie në nder të personave të rënë, ndërkohë që përjashtoi ambasadorin e Izraelit nga vendi si dhe tërhoqi edhe ambasadorët turq nga Tel Avivi dhe Uashingtoni.