“Turqia është vend shumë më i sigurt se SHBA-ja”

3 muaj më parë

“Turqia është vend shumë më i sigurt se SHBA-ja”

Ministri i Jashtëm i Turqisë, Mevlut Çavusoglu, në lidhje me paralajmërimin e bërë nga SHBA-ja për udhëtim drejt Turqisë, është shprehur se “Nuk duhet të humbim kohë me një qëndrim të panevojshëm që nuk i përshtatet një aleati dhe maturisë, ashtu sikur paralajmërimi fundit i SHBA-ve për udhëtim”, raporton Anadolu Agency.

Ministri Çavusoglu, u është përgjigjur pyetjeve të gazetarëve pas një vizite në vendin ku ka rënë dëshmor ish-kryeambasadori turk në Los Angeles, Kemal Arıkan, pasi u vra nga terroristët armenë në vitin 1982.

Pyetjes nëse do të diskutohet në takimin me sekretarin amerikan të Shtetit, Rex Tillerson, paralajmërimi i SHBA-ve për udhëtimin drejt Turqisë, Çavusoglu ka theksuar se me Tillerson kanë diskutuar çështjet dypalëshe në çdo takim.

Pasi ka vënë në dukje se në të vërtetë dëshirojnë të fokusohen në marrëdhëniet dypalëshe dhe bashkëpunimin për problemet rajonale, Çavuşoğlu tha: “Për këtë arsye nuk duhet të humbim kohë dhe energji me qëndrime të panevojshme që nuk i përshtaten një aleati dhe maturisë, ashtu sikur pezullimi i procesit të vizave dhe aktualisht me paralajmërimin e fundit për udhëtimin.”

Duke rikujtuar se pas paralajmërimit të SHBA-së për udhëtimin edhe Turqia ka bërë një paralajmërim për udhëtimet, Çavuşoğlu ka theksuar: “Turqia nuk është një vend më pak i sigurt se SHBA. Madje përkundrazi Turqia është një vend shumë më i sigurt se SHBA”.

Më tej Çavusoglu ka theksuar se Turqia ka luftuar dhe po lufton ende me terrorizmin, ku dhe ka arritur sukses, duke shtuar se nuk janë të kënaqur nga sulmet e përjetuara në SHBA dhe ndjejnë keqardhje.

“Kur vërejmë ngjarjet dhe sulmet e përditshme në SHBA dhe kur shikojmë numrin e njerëzve duke përfshirë edhe turistë që vriten në një ditë në qytete të ndryshme e vërejmë se Turqia është një vend shumë më i sigurt se SHBA-ja. Turqia duke përfshirë edhe amerikanë ka pritur në vitin 2017, 32 milionë turistë dhe të gjithë këto turistë janë kthyer të sigurtë në vendet e tyre”, ka nënvizuar Çavusoglu.

Shefi i diplomacisë turke ka shtuar më tej se “Këtë vit ka një rritje serioze në numrin e atyre që dëshirojnë të vijnë si turistë nga SHBA-ja. Këtë e vërejmë edhe nga rezervimet e bëra. Nuk e kemi kuptuar nëse dëshironin të ndalonin këtë, apo se çfarë dëshironin të bënin, por gjithsesi këtë do ta bisedojmë me Tillerson”.

“Në Turqi nuk ka armiqësi kundër të huajve dhe se Turqia i ka pritur përherë me krahë hapur këto njerëz. Tani e shikojmë se armiqësia kundër të huajve është në kulm. Është e qartë se si vetë qeveria amerikane, qeveria e Trumpit dhe vetë presidenti i poshtëron dhe i ofendon vendet e tjera. Nuk është e drejtë që një aleati ynë të bëjë paralajmërime të tilla për udhëtimet ndaj një vendi si Turqia. Ne i jemi kundërpërgjigjur kësaj. Në kushte normale nuk dëshirojmë të bëjmë një gjë të tillë. Sigurisht që këtë çështje do ta diskutojmë me Tillerson në Vancouver”, tha Çavuşoğlu./Oranews