Trump dhe Kim nënshkruajnë një dokument

1 javë më parë

Trump dhe Kim nënshkruajnë një dokument

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, tha se denuklearizimi i Gadishullit Korean do të nisë “shumë shpejt”.

Ai i bëri këto komente pas takimit me udhëheqësin verikorean, Kim Jong Un, për të cilin tha se ka qenë “sukses i jashtëzakonshëm”.

Trump dhe Kim nënshkruan një dokument të paspecifikuar, pas një takimi ballë për ballë prej 45 minutash dhe bisedimeve më të gjera midis delegacioneve të tyre në një hotel luksoz në ishullin Sentosa të Singaporit.

Trump e clësoi atë si dokument “shumë të rëndësishëm” dhe gjithëpërfshirës, por refuzoi të japë më shumë detaje, duke tëhnë se “të dyja palët do të impresionohen me rezultatin”.

Samiti ishte i pari midis një presidenti amerikan dhe homologut të tij verikorean.

Tensionet midis SHBA-së dhe Koresë së Veriut u përshkallëzuan vitin e kaluar, pasi Phenjani testoi disa raketa balistike dhe kreu një provë bërthamore, duke çuar në kërcënime dhe fyerje midis Kimit dhe Trumpit.

Por, në fillim të këtij viti, Kim nisi një ofensivë të papritur diplomatike, e cila përfshiu pjesëmarrjen e Koresë së Veriut në Olimpiadën Dimërore 2018, në Korenë e Jugut.

Më 1 qershor, Trump tha se do ta takojë Kimin më 12 qershor në Singapor. Ai e anuloi takimin për disa ditë, për ta konfirmuar sërish.

Derisa po përfundonin takimin në Sentosa, Trump tha se ai dhe Kim “kanë zhvilluar një lidhje shumë të veçantë”, ndërsa Kim u tha gazetarëve se ata “kanë vdenosur ta lënë prapa të kaluarën” dhe se “bota do të shohë një ndryshim të madh”.

Trump tha se çarmatosja e Koresë së Veriut nga armët bërthamore do të ndodhë “shumë, shumë shpejt”, duke shtuar se ai dhe Kim kanë formuar një “lidhje të veçantë” dhe se marrëdhëniet me Phenjanin do të jenë shumë më ndryshe.

I pyetur nëse do të ftonte udhëheqësin e Koresë së Veriut në Shtëpinë e Bardhë, Trump tha: “Absolutisht, po”.

“Kjo do të çojë në gjithnjë e më shumë”, tha Trump.

Më herët, pas përfundimit të takimit të tyre 45-minutësh, Trump tha se ai ka shkuar më mirë seç pritej dhe e cilësoi si “sukses të jashtëzakonshëm”.

“Do të zgjidhim një problem të madh, një dilemë të madhe që deri në këtë moment nuk ka mundur të zgjidhet”, tha Trump.

Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo, sinjalizoi të hënën se takimi i parë nuk pritet të sjellë ndonjë arritje të madhe dhe shtoi se ai duhet të shërbejë si kornizë për “punën e vështirë që do të pasojë”.

Pompeo tha se Koreja e Veriut duhet të arrijë denuklearizim të plotë, të verifikueshëm dhe të pakthyeshëm dhe se sanksionet nuk do t’i hiqen derisa kjo të mos ndodhë./rel/