Trump anulon vizitën në Londër

5 muaj më parë

Trump anulon vizitën në Londër

Presidenti amerikan, Donald Trump, ka anuluar udhëtimin e planifikuar në Londër.

Ai u vuri pikën spekulimeve rreth vizitës në një postim në rrjetin social twitter para mesnatës së të enjtes.

“Arsyeja për të cilën e anulova udhëtimin në Londër është se nuk jam tifoz i madh vendimit të administratës Obama që shiti, mbase ambasadën më të mirë të vendosur në vendin më të mirë, për një ‘dyshkë’, vetëm për të ndërtuar një të re për 1.2 miliardë dollarë. Pazar i keq. Duan ta pres shiritin – JO”, shkroi ai.

Megjithatë, në faqen e internetit të ambasadës amerikane, thuhet se qeveria amerikane bleu vendin për ambasadën e re në vitin 2008, përpara se presidenti Barack Obama të marrë detyrën në janar të vitit 2009. Ndërtesa e vjetër u shit në vitin 2009.

Ishte planifikuar që presidenti Trump të udhëtojë për një vizitë pune në Londër nga fundi i muajit shkurt, kur ai pritej të përuronte ambasadën e re dhe të takohej me kryeministren Theresa May, por nuk ishte vendosur një datë e saktë.

Shtypi britanik shkroi se presidenti Trump thuhet se ishte i pakënaqur për mungesën e “kambanave dhe brohoritjeve ” gjatë udhëtimit dhe faktin se ai nuk do të ishte në gjendje të takohej me mbretëreshën Elizabeth, sepse vizita e tij ishte ulur nga një vizitë shtetërore në një vizitë pune, e cila ka shumë më pak prestigj.

Ndërtesa e re e ambasadës, që sheh mbi lumin Thames, filloi të ndërtohet në nëntor të vitit 2013 dhe u financua tërësisht nga shitja e pronave të tjera amerikane në Londër.