5 muaj më parë

Skema piramidale e krimit moral duhet të shembet për hir të UÇK-së

Skema piramidale e krimit moral duhet të shembet për hir të UÇK-së

Mjafton ta kesh një shumë jo edhe aq të madhe parash me vete, të pyesësh se ku mund ta blesh certifikatën e veteranit të UÇK-së dhe shumë shpejt do ta gjeshë vendin ku bëhet pazari.

Kështu thoshte një ish-ushtar i UÇK-së, vetëm pak ditë pasi u bë publike lista prej 46.230 veteranësh të luftës.

Kaq e lehtë dhe e lirë ishte bërë blerja e “lavdisë së përjetshme”, e po kaq e lehtë dhe e lirë ishte bërë për shumkë, njollosja e ushtrisë çlirimtare.

Ai që kishte luftuar, e që tash ndihej i turpëruar me atë që kishte ndodhur pas luftës, nuk e kuptonte pse Prokuroria e kishte të vështirë t’i gjente mashtruesit e përfituesit, kur mjaftonte të shkonte deri në fshatin e tij, dhe aty fare lehtë do ta zbardhte të vërtetën mbi një epokë të historisë së re të Kosovës.

Veterani tregonte hapur se nga pesë anëtarë që ishin dashur të jenë në listën e veteranëve, në fshatin e tij ishin bërë100, pra 95 më shumë.

Ai ishte i gatshëm të tregonte me emër e mbiemër se kush janë pjesëtarët e “Batalionit të pasluftës”, por Prokuroria nuk e mori mundin t’i nxirte punë vetes.

Meqë këtu bëhet fjalë për komandantët dhe liderët e shtetit, nuk u pa e udhës që në kohë të hapen hetimet ex-officio për pastrimin e listave të veteranëve nga “veteranët”.

Po të ishte ndryshe, i pari që do duhej të merrej në pyetje nga Prokuroria e Shtetit do duhej të ishte Agim Çeku.

Si ish-shef i Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së dhe si njëri nga nënshkruesit e marrëveshjes për çmilitarizimin e UÇK-së, ai nuk është dashur që në cilësinë e kryetarit të Komisionit për njohjen e statusit të veteranëve të luftës, ta pranojë një listë që përmban trefish më shumë emra njerëzish se që i kishte deklaruar vetë pas luftës.

Kot bën thirrje tash për denoncim të rasteve të manipulimeve, kur vetëdijshëm ka pranuar t’ia dërgojë Qeverisë një listë joreale të ish-ushtarëve që do të bëheshin barrë e shtetit në mënyrë të pamerituar.

Fill pas tij, Isa Mustafa si kryeministër i Kosovës, do të duhej të jepte llogari pse e ka miratuar në Qeveri një raport, që apriori e ka ditur se nuk është i saktë.

“Ne do të kemi mjaft çështje që do t’i zgjidhim në të ardhmen sa i përket kompensimeve, sepse numri i tejkalon të gjitha parashikimet, tejkalon edhe qëndrueshmërinë buxhetore, por është një çështje, për të cilën ne do të bisedojmë më tutje”, pati thënë Mustafa, në vend se t’u thoshte vartësve të tij, se para vetes e kemi një raport/listë që nuk përkon me realitetin dhe si i tillë nuk mund ta marrë bekimin e Qeverisë.

Shefi i Qeverisë, që tash është në largim, i kishte parasysh rekomandimet e FMN-së, por edhe ai, vetëdijshëm e futi shtetin në obligime të papërballueshme, bashkë me më shumë se 20 ministra e zëvendskryeministra që morën pjesë në votimin për miratimin e listave.

Asnjë i vetmi nga të pranishmit në atë mbledhje s’ka qenë në gjendje të thotë: Ju votoni si tē doni, por unë nuk e votoj këtë raport, sepse nuk është i saktë. Pikë!

Të gjithë bashkëfajtorë!

Pos komandantëve, Prokuroria do të duhej t’i trokiste në derë edhe Kadri Veselit, liderit aktual të PDK-së dhe t’ia kërkonte disa sqarime në lidhje me letrën që së voni ua ka dërguar shoqatave të dala nga lufta e UÇK-së.

Si njëri nga udhëheqësit e luftës, ai vetë e ka konfirmuar se e di nivelin dhe shifrat reale të mobilizimit të qytetarëve në luftë.

Në mënyrë eksplicite ka thënë se shifrat zyrtare janë shumë më të mëdha se shifrat reale.

E meqë e di saktë këtë gjë, mjafton t’ua japë të dhënat prokurorëve që ata t’i kenë si prova materiale.

Gjithsesi, e vërteta rreth pjesëmarrjes në luftë nuk është vështirë që të zbardhet.

Duhet vetëm guxim!.

Guxim edhe i madh bile. Sepse tashmë është ndërtuar një skemë piramidale, shembja e së cilës nuk mund të kaloj pa pasoja.

Ata që janë të përfshirë në këtë skemë, qoftë si blerës, qoftë si shitës të certifikatave të UÇK-së, do të bëjnë çmos për të mos u demaskuar.

Blerësit kanë dhënë paratë për të përfituar përjetësisht, e shitësit i kanë dhënë garancitë.

Tash në pyetje janë paratë, sepse për nder nuk mund të bëhet fjalë.

Por, pavarësisht asaj që mund të ndodhë, luftëtarët e vërtetë duhet të flasin e nuk duhet të lejojnë të mbesin në një thes me falsifikatorët.

Një popull i qytetëruar nuk pranon t’i shkruhet një histori e trilluar dhe e diktuar nga një grup profiterësh analfabetë.

E falsifikatorët e mashtruesit, duhet ta kenë parasysh se një ditë, afër gjunjëve do t’u ulen nipat e mbesat dhe do t’i pyesin për UÇK-në.

Atëherë, siç do të thoshte gjenerali amerikan George Patton , ata do të fillojnë të kolliten e të përpiqen të ndërrojnë temë.

S’kanë çka u thonë, sepse nuk kanë fytyrë.