Si lindi celulari i parë ‘smart’ që ndryshoi teknologjinë e komunikimit?

4 muaj më parë

Si lindi celulari i parë ‘smart’ që ndryshoi teknologjinë e komunikimit?

I veshur me ‘’uniformën’’ e tij të preferuar, pantallona xhins dhe triko të zezë që shumë shpejt do të kthehej në një ndër simbolikat e tij më identifikuese, Steve Jobs do t’i prezantonte botës një prej produkteve që do të ndryshonin teknologjinë e komunikacionit dhe jo vetëm.

Do të ishte pikërisht data 9 janar 2007 që do të sillte për herë të parë në sytë e publikut një telefon të ri, i cili shumë shpejt do të bëhej edhe pararendës i një kategorie të re të telefonisë celulare: smartphone.

Por, krijimi i iPhone ka një histori të çuditshme. Dizajni ikonë i ditëve të sotme u krijua si pasojë e një mërie personale që Steve Jobs kishte ndaj një punonjësi të Microsoft.  “Ai e ‘’urrente’’ atë djalë,” tha Scott Forstall i cili drejton departamentin softuerik të iOS në Apple dhe “sa herë që ndeshej me të, ai kthehej shumë i acaruar.”

Ky inat ndaj “kolegut pa emër” në Microsoft, i cili mburrej vazhdimisht se si ata do të pushtonin botën me teknologjinë e tyre, bëri që Jobs t’i kalonte limitet. Kritikat e Jobs për teknologjinë e Microsoft ishin të vazhdueshme.

Ndërsa ajo që urrente më shumë ishin stilolapsat e përdorur në tablet. Kështu që skuadra e Jobs krijoi prototipin e një ekrani me funksionin e prekjes.

Frostall tha se që në atë moment ata e kuptuan se kjo teknologji do të ishte një revolucion dhe rezultatet e 11 viteve treguan se kishin të drejtë.