100 vjet nga Revolucioni i Tetorit – Si i mbështeti Perandori gjerman bolshevikët?

2 javë më parë

100 vjet nga Revolucioni i Tetorit – Si i mbështeti Perandori gjerman bolshevikët?

Zyrih, 9 prill 1917. Në stacion ndodhen 32 emigrantë rusë gati për t’u nisur. Ata nuk janë të vetmit, që kanë ardhur. “Tradhëtarë, llum, derra”, u thërrasin kundërshtarët udhëtarëve. Edhe mbështetës të grupit të udhëtarëve kanë ardhur. Ata këndojnë Internacionalen. Për një kohë të shkurtër shinat bllokohen, por megjithatë treni vihet në lëvizje.

Është një tren i posaçëm gjerman, i Perandorit Wilhelm II në dispozicion për ta mbështetur revolucionin në Rusi. Sepse në njërin prej vagonëve ndodhet Vladimir Iljitç Uljanovi, i quajtur Lenin. Me ndihmën gjermane Lenini largohet nga azilimi në Zvicër dhe një javë më vonë mbërrin në destinacion: Në Petrograd, sot Shën Peterburg. Në Rusi sapo ka mbaruar revolucioni i shkurtit, që largoi nga froni Car Nikollën e II, një qeveri provizore është në post dhe ende as që ka shenja për revolucionin e madh në vjeshtë.

Bajonetat prusiane dhe grushtat e proletariatit rus

Kthimi i emigrantit personalitet në atdheun e tij ndiqet me vëmendje të madhe në Berlin. “Mbërritja e Leninit në Rusi ishte e suksesshme. Ai punon tërësisht sipas dëshirës”, informon kreu i ushtrisë së Gjermanisë Ministrinë e Jashtme.

Një paradoks politik, siç duket. Wilhelm II në aleancë me Leninin komunist. Qëllimi i Perandorit gjerman është që të dobësohet përfundimisht perandoria e carëve me të cilën ndodheshin në luftë fuqitë e ashtuquajtura të mesme – pra Gjermania dhe Austro-Hungaria – që nga lufta më 1914.

Kalkulimi i Berlinit është i qartë: Lenini dhe bolshevikët e tij duhet ta destablizojnë Rusinë dhe në këtë mënyrë – në kulmin e Luftës së Parë Botërore – do të kontribuojnë në shtensoinimin në frontin e Lindjes. Plani ka rezultat. Sepse Perandoria gjermane përdor një rregull të vjetër të diplomacisë: armiku i armikut tim është miku im.

Alexander Parvus (gemeinfrei)
(Alexander Pavrus)

Ideja dhe koncepti  për këtë nuk janë krejt të reja . Ato e kanë prejardhjen nga një njeri, i cili mban emrin komunist të luftës “Parvus”, i vogli: Israil Lasareviç Helphand. Një hebre rus, i cili  është pasuruar dhe përdor influencën e tij, për të ofruar një aleancë të nisur qysh në Konstandinopojë në fund të 1914 me ambasadorin gjerman mes “bajonetave prusiane dhe grushteve të proletariatit rus”. Interesat e Gjermanisë dhe të revolucionarëve rusë janë identike, sipas Parvus-it. Pas një skpeticizmi që mbretëroi në fillim ai më në fund merr një orar takimi në Berlin.

Kapitalist dhe bolshevik sallonesh

Helphand, i cili preferon jetën e salloneve dhe rrethohet nga gratë, kishte ardhur për herë të parë në Gjermani më 1891. Ai shkruante për gazeta të majta duke i ndryshuar pseudonimet dhe takohej me të gjithë komunistët drejtues të kohës: Rosa Luksemburg, Karl Kautski, Lenin dhe Leo Trocki. Për arsye të mënyrës josocialiste të jetesës, megjithatë shokët nuk kishin besim tek ai.

Pas së dielës së përgjakshme më 22 janar 1905, gjatë së cilës Cari dha urdhër të qëllohet ndaj demonstruesve të Peterburgut dhe ku si pasojë u vranë mbi 200 vetë,  Helphand dhe Trotzky ishin ndër të parët rusë në emigracion që u kthyen në atdhe. Ata u vendosën në krye të këshillave, por u arrestuan njëri pas tjetrit prej policisë.

Helphand-i përfundoi si i burgosur në Siberi, prej nga mundi të arratiset dhe përmes një perandorie firmash u bë i pasur. Madje atij i përkisnin edhe banka. Kjo bëri që shokët e tij të vjetër komunistë të distancoheshin prej tij. Trocki madje shkruajti një “nekrologji për një mik që jeton”. Sidoqoftë me shpërthimin e luftës më 1914 vjen koha që Parvus-i të fitojë ndikim. Pas vizitës së tij në ambasadën gjermane në Perandorinë Osmane atë e presin në Ministrinë e Jashtme në Berlin në shkurt të vitit 1915.

Revolucioni rus në 23 faqe 

Komunisti rus me karierë publicistike nga Gjermania dhe me suksese si sipërmarrës në Konstandinopojë përpilon një skenar për Ministrinë e Jashtme për një revolucion. Ky është një plan kohor për atë që ndodh vërtet pak muaj më vonë. Helphand përshkruan në 23 faqe të daktilografuara, se si mund të arrihet rrëzimi i pushtetit dhe se si kjo mund të mbështetet nga jashtë. Bëhet fjalë për para, sabotim, rrezim qeverie. Një muaj më vonë Kancelaria e thesarit të Perandorisë miraton dy milionë marka “për mbështetjen e propagandës revolucionare në Rusi”.

Helphand është aktiv edhe personalisht. Interesat e biznesit dhe qëllimet politike nuk mund të ndahen. Ai është një përfitues klasik i luftës. Ai tregton me të gjithë dhe me gjithçka: armë, metale, konjak, kaviar, stofra. Meqënëse rruga për në Lindje bllokohet prej frontit, ndihmësit e tij bëjnë kontrabandë përmes fshatit suedez në kufirin finlandez, asokohe principatë e madhe e perandorisë ruse. Kufitarët marrin rryshfet dhe janë në dijeni.

Duke dëgjuar fjalinë: “Ju sjell të fala nga Olga”, revolucionarët rusë marrin material propagandistik, por jo vetem kaq. Edhe armët e dinamiti kalojnë nga njeri kufi në tjetritn. Me “dhuratat gjermane” mbyten anijet në Arkangelsk apo u vihet flaka porteve.  Aksionet e Parvusit koordinohen nga ambasadori gjerman në Kopenhagë, Konti Ulrich von Brockdorff-Rantzau, i cili e justifikon mbështetjen për komunistët, nëse përmes kësaj përçahen koalicionet e luftës.

Wladimir Iljitsch Lenin - Grundsatzrede in Petrograd 1917 (picture-alliance/dpa/Tass 437179/P. Wolkow)
(Fjalimi i Leninit mё 1917 nё Petrograd)

Me paratë ruse revolucionarizohet Gjermania?

Planet e Helphand-it realizohen. Më 7 nëntor 1917 arrihet kthesa, Revolucioni i Tetorit hyn në histori. Qeveria e përkohshme rrëzohet, sovjetikët marrin pushtetin dhe disa javë më vonë Rusia shpall aleancën e Antantës ushtarake me Francën dhe Mbretërinë Britanike.  Ky është fundi faktik i luftës për këtë vend. Perandorit Wilhelm II. dobësimi i kundërshtarit të luftës, Rusisë i kushtoi (konvertuar në vlerën e sotme) rreth gjysmë miliardi Euro.

Parvusi vet vepron si personi direkt ndërmjetësues i Perandorit gjerman. Ai ishte një “tutor i imperializmit”, e dënon postum maksistja gjermane Clara Zetkin, njeriun që ndihmoi Leninin për revolucionin. Helphand ndërroi jetë prej hemoragjisë cerebrale në moshën 57 vjeçare më 1924 në Berlin. Roli i tij historik u mbulua prej heshtjes si prej sovjetikëve, ashtu edhe prej Perandorisë gjermane.

Lenini, si pranuesi i ndihmës kapitaliste shumë shpejt u diskreditua prej komunistëve të Rusisë, e pas vrasjes së familjes së Carit më 17 korrik 1918 kaloi në ofensivë. Atij i është dashur shpesh të dëgjonte akuzën se ia doli ta rrezojë qeverinë vetëm me ndihmën e parave gjermane, është shprehur ai në një mbledhje të partisë. Po këtë ai nuk e ka mohuar asnjëherë, pranon ai. “Unë dua megjithatë të shtoj se ne me paratë ruse do të inskenojmë një revolucion të ngjashëm  në Gjermani.”/DW