10 muaj më parë

Si dhe kur u ndalua ferexhja në Kosovë?

Si dhe kur u ndalua ferexhja në Kosovë?

Nga Bajram Mjeku

Në vitin 1953, regjimi jugosllav nxori dekret të veçantë, përmes të cilit ndaloi bartjen e ferexhes për femrat e besimit islam në ish-Jugosllavi.

Pretendimi i Qeverisë jugosllave u bë me qëllim, që veçanërisht ndaj shqiptarëve të ndodhte provokimi i radhës. Në këtë kohë ndodhte edhe i ashtuquajturi Aksion për grumbullimin e armëve i udhëhequr nga ministri Federativ i Punëve të Brendshme, tirani Aleksandar Rankoviq.

Dekreti për ndalimin e ferexhes bëri efekt të kundërt. Në sy të botës, femra shqiptare me heqjen e ferexhes nisi të shpërfaqej si grua evropiane.

U deshën tre vjet, më saktë deri në vitin 1956 që dekretligji të realizohej. Shumë shqiptarë të Kosovës, duke mos dashur që bashkëshortet apo vajzat e tyre të thyenin “akullin” dhe të lëviznin pa ferexhe, gjatë këtyre tre viteve të afërmit e tyre i vizitonin kryesisht natën! Nuk mungoi as rezistenca e klerikëve të besimit islam dhe disa prej tyre u dënuan me burg.

Në këtë periudhë, kryetar i Bashkësisë Islame të Kosovës ishte myderiz Bajram Agani, një personalitet i respektuar jo vetëm nga kleri fetar. Nga pozita e kryetarit të Bashkësisë Islame, myderiz Agani përkrahte heqjen e ferexhes. Vështruar në kontest të kohës, Bashkësia Islame e Kosovës, nuk kishte fuqi të kundërshtonte regjimin jugosllav, derisa pasojat mund të ishin të rënda.

Gabimin e regjimit jugosllav e “përmirësuan” nacionalshovenistët maqedonë, kur u shpërbë Jugosllavia dyzet vjet më vonë. Pushtetarët e ish-Republikës Jugosllave të Maqedonisë, jo vetëm lejuan femrat shqiptare të përdorin mbulesën, por propaganduan në sy të botës se shqiptarët në Maqedoni janë edhe fundamentalistë islam.

Në manifestime e protesta popullore, shqiptarët në Maqedoni u lejuan të përdorin edhe flamurin turk, me qëllim që në sy të botës të duken si mbeturina të ish-Perandorisë Osmane.

Megjithëse Kosova me Kushtetutë është shtet sekular, bartja e mbulesës viteve të fundit është riaktualizuar edhe në Kosovë. Standardet e dyfishta rreth përdorimit të mbulesës, këtë çështje e kanë mjegulluar edhe më shumë.

Foto: Gruaja shqiptare me ferexhe në Prishtinën e viteve pesëdhjetë

Fotografia e Bajram Mjeku