Shuhet legjenda e valles shqiptare, Ilir Meta e quan humbje të pazëvendësueshme

5 muaj më parë

Shuhet legjenda e valles shqiptare, Ilir Meta e quan humbje të pazëvendësueshme

Vetëm katër ditë më parë Rexhep Çelikut do ta shihnim në hollin e institucionit të Presidencës, teksa Ilir Meta do t’i jepte dekoratën e lartë të “Nderit të Kombit”, por mesa duket krijuesi e ka kërkuar lart, pasi mjeshtri i valleve ka humbur këtë të premte jetën.

Rexhep Çeliku vdiq në moshën 63 vjeçare pas betejës me një sëmundje të rëndë. Zemra e tij pushoi në orën 02:30 të orëve të para të kësaj dite.

Ai ishte solist i parë i Ansamblit të këngëve dhe valleve. Meta e dekorioi katër ditë më parë me motivacionin  “Në vlerësim të kontributit të jashtëzakonshëm si solist me nivel të lartë dhe mjeshtëri të veçantë artistike në interpretimin e valleve shqiptare; për promovimin denjësisht të vlerave të mirëfillta të trashëgimisë sonë kulturore kombëtare brenda dhe jashtë vendit, si dhe për pasurimin e fondit të krijimtarisë koreografike dhe përçimin e tij tek brezat e artistëve të rinj”.

Nga Kroacia ku ndodhet për një vizitë zyrtare, Presidenti Meta u ka shprehur ngushëllime familjarëve dhe të afërmëve të mjeshtrit të valles Rexhep Çeliku për humbjen e njeriut të dashur.

Në një postim në fb, Meta shkruan: “Me dhimbje të thellë mësova lajmin drithërues të ndarjes së parakohshme nga jeta të Rexhep Çelikut, emblemës së valles dhe traditës sonë kulturore, mjeshtrit të madh të skenës së Ansamblit tonë Shtetëror, të papërsëritëshmit të kërcimit tonë popullor, njeriut fisnik e atdhetar, frymëzimit të spikatur të brezave të artistëve të rinj.
I shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes, njerëzve të tij të dashur e kolegëve për këtë humbje të madhe e të pazëvendësueshme”.

Mjeshtri i madh i valles shqiptare, Rexhep Çeliku, u nda nga jeta mëngjesin e sotëm në moshën 63-vjeçare,pas një betejë me një sëmundje të rëndë.