Shqipja- një gjuhë e veçantë

1 javë më parë

Shqipja- një gjuhë e veçantë

Gjuha shqipe, e kaluara, e tashmja dhe e ardhmja, me këtë titull i ftoi Shoqata e Miqësisë gjermano-shqiptare (DAFG) kureshtarët në Jena.

Prof. Wilfried Fiedler, i cili mori pjesë në këtë konferencë, kumtesën e tij “Shqipja – një gjuhë e veçantë”, e kishte konceptuar rreth tri boshteve kryesore: 1.shqipja si gjuhë indoevropiane 2. shqipja dhe gjuhët e tjera ballkanike dhe 3. dialektet dhe gjuha e shkruar, e kultivuar, shqipe.

Me një gjuhë të kuptueshme për spektrin e gjerë të dëgjuesve të konferencës, që shtrihej që nga kureshtarët për shqipen, te mësimdhënësit, historianët dhe gjuhëtarët, prof. Fiedler u ndal te marrëdhëniet e shqipes me ilirishten.

Ai tha se hipoteza që shqipja duhet të ketë lidhje me ilirishten u shpreh në krye nga filozofi, historiani e matematikani Gottfried Wilhelm Leibniz (1646-1717), me të cilin „fillojnë thuajse të gjitha në shkencën gjermane”. Ky mendim  u mor më vonë edhe nga dijetari Johann Thunmann (1746-1778) dhe u fut në shkencë nga themeluesi i indogjermanistikës, Franz Bopp (1791-1867). Pra që prej themelimit indoevropianistika e krahasuar përfshiu edhe shqipen.

Prof. Wilfried FiedlerProf. Wilfried Fiedler

Prof. Fiedler u kujtoi të pranishmëve se me përjashtim të greqishtes, asnjë gjuhë e Ballkanit nuk ka dokumentim të pandërprerë deri sot, në mënyrë që të ndiqet në zhvillimin e saj. Në këtë kuadër, nga pak glosa dhe emra të rikonstruktuar vendesh nuk mund të thuhet „me siguri që idioma e quajtur ilirishte në antikitet është me të vërtetë gjuha paraardhëse e shqipes”. Por, kujtoi Fiedler, „pavarësisht se si quhej gjuha paraardhëse e shqipes, atdheu i saj ka qenë në mënyrë të vazhdueshme Ballkani”.

Një argument kryesor për këtë tezë janë elementët e greqishtes së vjetër në shqipe, si p.sh. pjepërmokër.

Elementi i dytë i rëndësishëm është që shqipja nuk ka vetëm fjalë të përbashkëta me greqishten, por ka përbashkësi strukturore krejt të veçanta me gjuhët e tjera ballkanike. Përbashkësitë tipologjike vërehen ndër të tjera edhe në “zinxhirin ballkanik”: në radhitjen njëra pas tjetrës të fjalëve që nuk pranojnë ndërfutje elementësh të tjerë si p.sh. në fjalinë “Pa ndihmën e kolektivit, nuk do ta paskësh mbaruar dot”, ku “nuk do ta paskësh mbaruar dot”, në shqip nuk pranon asnjë ndërfutje elementësh të tjerë. Në gjuhët e tjera ballkanike ky togfjalësh është gjithashtu një i vetëm, megjithatë disa gjuhë ballkanike pranojnë edhe ndërfutjen e elementëve.

Prof. Wilfried Fiedler kujtoi së treti faktin që kufiri i ndarjes së dialekteve të shqipes është i pranuar gjerësisht. Por në një kohë kur toskërishtja, kryesisht në pjesën jugore të Shqipërisë, ndonëse me nëndegë „paraqitet relativisht e njësuar, ndarja e gegërishtes është më e ndërlikuar”. Veç ndarjes në gegërishte veriore dhe gegërishte jugore, kemi edhe nëndegë të tjera. Prof.Fiedler tha se është një fakt që të tërheq vëmendjen që p.sh. gegërishtja verilindore, pra kosovarishtja, ka trashëguar pak dëshmi të vjetra me shkrim.

Ai tha se ndoshta gegërishtja jugore, për shkak të dallimeve më të vogla me toskërishten do të ishte përshtatur më mirë si gjuhë e përbashkët e shqiptarëve. Por edhe me këtë degë dialektore problemi kryesor për gjuhën standarde do të kishte mbetur: ekzistenca e paskajores në gegërishte. “Në mënyrë të çuditshme gegët mendojnë që pa paskajore në fakt as që mund të jetohet. Për këtë i mbështesim edhe ne evropianoqendrorët, sepse edhe ne themi: si mund të jetohet pa paskajore. Por njëkohësisht shtrojmë pyetjen: pse në Greqi ose në Bullgari nuk ka fare përpjekje për t’i futur paskajoret, që mund t’i futësh lehtë në gjuhët përkatëse?”pyeti prof. Fiedler.

Më tej prof. Fiedler theksoi që gegërishtja jugore funksionoi si gjuhë e shkrimit, e përbashkët prej fundit të Luftës së Parë Botërore deri në vitin 1938. Por duhet thënë, tha ai „se për një kohë kaq të shkurtër janë relativisht pak gjëra që gjuhësia mund të kish ofruar me fuqinë e rregullave”.

Më tej ai shprehu pikëpamjen se shkrimi nga udhëheqësit komunistë partizanë në Luftën e Dytë Botërore të deklaratave kryesisht në toskërisht, por me elementë të gegërishtes, pati ndikim në praktikën e mëvonshme gjuhësore. Pas një diskutimi filologësh në Tiranë, në vitin 1952, gegërishtja kaloi edhe më qartë në plan të dytë. Ndërsa në Kosovë, pas vitit 1968 u vendos që të përdoret një gjuhë e përbashkët standarde me Shqipërinë, rregullat për të cilën u vendosën në Kongresin e Drejtshkrimit të vitit 1972./DW