Shqipja mund të mësohet edhe në një rajon të Italisë

2 muaj më parë

Shqipja mund të mësohet edhe në një rajon të Italisë

Kurset e gjuhës shqipe në shkollat italiane të rajonit të Marche mund të bëhen shumë shpejt realitet. Në takimin e zhvilluar me presidentin e këtij rajoni, LucaCeriscioli dhe Kryetaren e Bashkisë së qytetit të Ancona-s, ValeriaMancinelli, ministri i Diasporës së Shqipërisë, Pandeli Majko avancoi sërish kërkesën për mundësimin e kurseve të gjuhës në ambientet e shkollave.

Të dy zyrtarët e lartë e vlerësuan si tepër interesant projektin, i cili siç thanë, i shërben jo vetëm komunitetit shqiptar, por edhe pasurimit kulturor dhe zhvillimit të rajonit, përcjell albinfo.ch.

“Është një projekt që mund të propozojmë dhe avancojmë. Është interesant jo vetëm për brezin e tretë shqiptar, i cili ka mundësinë që në mënyrë të strukturuar të mësojë gjuhën e origjinës, por edhe për fëmijët italianë që dëshirojnë të njohin gjuhën dhe kulturën shqiptare. Do propozojmë që fillimisht projekti të zbatohet në qytetet e mëdha si Ancona, ku edhe përqendrohet numri më i madh i shqiptarëve. Pasi të shohim se si do të funksionojë, mund të shtrihet edhe në qytete të tjera”, tha Presidenti i rajonit të Marche.

Ai përmendi lidhjet e forta të rajonit me Shqipërinë, duke u ndalur në veçanti tek raporti i shkëlqyer tregtar, siç e quajti. Zyrtari i lartë shoqërohej në takim nga një këshilltare shqiptare, fakt të cilin e përmendi që në fillim të takimit. Duke e vlerësuar maksimalisht këtë gjë, z. Majko pohoi se ‘pikërisht ky ishte profili i shqiptarëve që duam’.

Ndërkaq, Kryetarja e Bashkisë së Ancona-s përmendi rolin e rëndësishëm që komuniteti shqiptar në këtë qytet.

“Ashtu siç e dini, qyteti i Ancona-s është tashmë një copëz Shqipëri, në kuptimin e mirë të fjalës. Këtu, komunitet shqiptar është ndoshta më i madhi e më i integruari. Jemi totalisht dakord dhe të disponueshëm për të ndihmuar në ofrimin e kurseve të gjuhës shqipe ne shkollat publike”, ishin fjalët e saj.

Ministri u takua gjithashtu me përfaqësues të shoqatave shqiptare në Ancona, të cilët e njohën ministrin me aktivitetet e tyre për promovimin e kulturës dhe identitetit shqiptar.

U fol për planet e organizimit të një federate futbolli që do të mbajë vulën shqiptare, një aktiviteti të përbashkët të shkollave shqipe në rajon dhe ngritjes së një busti të shenjtores shqiptare ‘Nënë Tereza” në një prej shesheve të qytetit.